Andrea Pirlo rikthehet në Itali dhe do të jetë trajneri i ri i Sampdorias. Pas eksperiencës në Turqi me Karagumruk, kampioni i Botës më 2006 është gati për një aventurë të re si trajner në kampionatin italian, por në Serie B, ku do të gjejë edhe Alessandro Nesta, në krye të Reggiana.
Pas refuzimit të një “heroi” tjetër të finales së Berlinit 2006, Fabio Grosso, pronari i ri i Sampdoria vendosi të “vinte bast” për Andrea Pirlon, duke nënshkruar me të një kontratë 2-vjeçare, me opsion për sezonin e tretë.
Pirlo, i cili ishte trajner vetëm një sezon në Itali, ku ndodhi debutimi i tij, duke e çuar Juventusin drejt fitimit të dy trofeve, parakaloi në garën për këtë stol një trajner tjetër të rritur në Turqi, pikërisht Francesco Farioli.