Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se aksioni i Policisë së Kosovës i zhvilluar të martën në Shtërpcë është “tentativë tjetër për t’i frikësuar serbët”.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ndër të arrestuarit është edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave.
E sipas Petkoviqit, ky aksion është “terror i ri” nga kryeministri Albin Kurti, shkruan N1, transmeton Shqip.com.
“Nën maskën dhe nën pretekstin e një lloj lufte kundër korrupsionit, Kurti po dërgon sërish forcat speciale me pajisje të plota luftarake, në mjediset serbe, me qëllimin e vetëm kriminalizimin e serbëve që mbetën mburojë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare”.
“Kurti sikur nuk e sheh korrupsionin dhe krimin në radhët e tij, kur të gjithë faktorët ndërkombëtarë e dinë se të gjitha flukset e parave të pista kalojnë nëpër komunitetet shqiptare”, tha Petkoviq në një deklaratë për media.
Sipas tij, Shtërpca është një objektiv i dukshëm sepse “përfaqëson një bastion të fortë serb dhe pikën më jugore të mbijetesës serbe në Kosovë”.
“Ky veprim nuk është i rastësishëm, sot, kur presidenti Aleksandar Vuçiq do të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, si një hap drejt një të ardhmeje më të mirë dhe padyshim që është i koordinuar me tërbimin e mbrëmshëm të ekstremistëve dhe djegien e flamujve serbë në Tiranë”, u shpreh ai.