Pas thirrjes së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, për qytetarët që të votojnë në zgjedhjet në veri, ka ardhur reagimi i drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq.
Duke e cilësuar Sveçlën si urryes i serbëve, ai ka thënë se me thirrjet e tij vetëm se po e konfirmon vendimin e serbëve që ta refuzojnë “tentativën e Kurtit për okupim”.
“Deklarata e tij e pakuptimtë se serbët do të dalin nesër kundër presidentit të tyre Aleksandar Vuçiq do të rezultojë në një bojkot edhe më bindës dhe unanim të dhunimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga Kurti,”- është shprehur Petkoviq, sipas Kosovo Online.
Tutje raportohet se Petkoviq ka thënë se se Sveçla po mashtron vetën kur mendon se mund të detyrojë serbët të marrin pjesë në “okupim”
“Sveçla po mashtron veten kur mendon se do t’i detyrojë serbët të marrin pjesë në okupim, sepse edhe pushtuesit shumë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm nuk arritën ta mposhtin respektin dhe dashurinë e popullit serb për lirinë,”- ka thënë Petkoviq.
Më tej, Petkoviq ka thënë se serbët nesër do të konfirmojnë se ndaj kujt dhe ndaj cilit shtet janë besnikë.
“Dhe serbët jo vetëm që nuk do të votojnë në zgjedhjet e kontejnerit të Kurtit, por me një përgjigje të bashkuar demokratike, që është bojkot, ata do të konfirmojnë edhe një herë se ndaj kujt dhe ndaj cilit shtet janë besnikë. Presidenti Vuçiq qartë, nuk mund të ishte më i qartë, mbështeti popullin serb, një popull që mbron të drejtën e tij për mbijetesë të zhveshur, dhe do të jetë gjithmonë me popullin e tij në Kosovë. Serbët në Kosovë nuk kanë president tjetër përveç Vuçiqit dhe asnjë shtet tjetër përveç Serbisë, dhe mesazhi i tyre nesër për Kurtin dhe Sveçlën do të jetë dinjitoz dhe krenar,”– ka përfunduar Petkoviq.
Kujtojmë se ministri Sveçla bëri thirrje që nesër të dilet sa më masovisht në zgjedhje në mënyrë që të gjithë qytetarët serb, sipas tij, të çlirohen nga grupet e kontrolluara nga Vuçiq.