Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se arrestimi i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, është një hakmarrje dhe frikësim brutal nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Kurtit kanë arrestuar Dejan Pantiqin, ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, i cili është larguar nga ky institucion më 5 nëntor së bashku me kolegët e tij dhe i cili deri atëherë ka qenë i punësuar në stacionin policor në Mitrovicë, në vendkalimin administrativ Jarinje”, ka thënë Petkoviq.
Ai shtoi se Pantiq dhe gruaja e tij të shtunën në mëngjes kanë shkuar në Rashkë për të kryer disa detyra private, dhe gjatë kthimit Policia e Kosovës ia ka vënë prangat.
“Bëhet fjalë për hakmarrje brutale dhe frikësim nga Albin Kurti, i cili vendosi të përndjekë tani policët serbë të cilëve, pa asnjë bazë apo provë, po përpiqet t’u atribuojë akte me të cilat nuk kanë lidhje, për të tentuar të frikësojë të gjithë serbët. Me këtë Kurti dëshiron të hakmerret për largimin e të gjitha institucioneve në veri, përfshirë edhe policinë”, thotë Petkoviq.
Ai ka shtuar se e ka njoftuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçaku dhe ka paralajmëruar se do t’i informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë.