Këtë pretendim Petkovic e ka bërë përmes një postimi në Twitter, ku ka shtuar se serbi më pas është liruar.
Petkovic, ka shkuar edhe më tutje, ku, këtë arrestim e ka cilësuar si ‘rrëmbim’, dhe se, sigurisht gjithmonë sipas Petkovic, kjo është metodë e frikësimit.
“Branko Banjac, i cili u arrestua me forcë sot në Jarinje, pa asnjë shpjegim apo bazë, është liruar pas aksionit politik dhe diplomatik të Beogradit. Ai dyshohet se është arrestuar “gabimisht”. A do t’i kërkojë dikush falje Brankos dhe familjes së tij për stresin që pësuan dhe do të përgjigjet për të? Si ndodh që vetëm serbët arrestohen gabimisht? Të tilla “rrëmbime” të serbëve të pafajshëm janë një metodë standarde e frikësimit me të cilën policia e Kurtit përpiqet të krijojë një ndjenjë të përgjithshme kërcënimi në mesin e popullit serb”, ka thënë ai.