Një infermier i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është sulmuar fizikisht nga pesë persona në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.
Të dyshuarit thuhet se kanë qenë të dehur kur kanë shkuar pranë Emergjencës së këtij spitali në ora 03:20 dhe kanë sulmuar infermierin me inicialet F.M..
Lajmin e ka bërë të ditur Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë përmes një postimi në Facebook.
“Në oborrin e spitalit kanë ardhur 5 qytetarë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit dhe kanë kërkuar nga infermieri që të dal jashtë objektit te spitalit për t’i dhënë shërbim pacientit, ku, infermieri ka refuzuar dhe ka thënë qe pacienti duhet të sillet në repart që paraprakisht të kontrollohet nga doktori kujdestar. Pas refuzimit të infermierit për të dal jashtë objektit ai është sulmuar fizikisht”, u tha nga spitali “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të artikullit nuk janë përgjigjur.