Një 52 vjeçar nga Gjilani është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Ai dyshohet se përvetësoi mijëra euro të cilat i kishte pranuar me autorizimin e një të dëmtuare, e cila po kërkonte kompensimin për burgimin politik, të babait të saj.
Bekim Korçani, dyshohet se përvetësoi rreth 21 mijë euro, të cilat i kishte pranuar me autorizim të të dëmtuarës.
Ai mësohet se paratë i ka pranuar në llogarinë e tij nga Shoqata e të Burgosurve Politik në Kosovë, për kompensimin e një ish të dënuari dhe përndjekuri politik.
Ky i fundit është babai i të dëmtuarës që e ka paraqitur rastin. Bekim Korça edhe pse e kishte autorizimin nga e dëmtuara për t’i pranuar paratë, ai s’e ka njoftuar atë se i ka pranuar të hollat për kompensimin e ish të dënuarit politik.
Për rastin ka njoftuar edhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan.
“Pas veprimeve të ndërmarra hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të besimit, kemi zbuluar se i dyshuari me iniciale (B.K.) me qëllim që vetes ti sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur besimin e viktimës/të dëmtuarës, duke ia keqpërdorur mijëra euro, të cilat me autorizim të viktimës, i dyshuari i kishte pranuar në llogarinë e tij financiare”, thuhet në njoftim.
“Edhe pas kompensimit, tansferit të mjeteve financiare në llogarinë e të autorizuarit, (tani më të dyshuarit) (B.K.) i njëjti, nuk e kishte njoftuar fare të dëmtuarën, por këto mjete financiare dyshohet se i ka përvetësuar për nevoja të tij personale”.
I dyshuari, është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës, dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit është ndaluar në Qendrën e Paraburgimit për 48 orë.