Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para deputetëve në Kuvend ka folur për situatën në veri të vendit.
Ai i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se ai në veri ka shkuar me përcjelljen e 40 policëve.
“Merre përdore Xhelal Sveçlën me kaçketë, Elbert Krasniqin me pancir edhe ti e hajde të shkojmë te qojmë Erden Atiqin në Mitrovicë të Veriut në qytet, aty ku është komuna. Ti Veriun e ke pa kur ke shku me 40 policë deri në mahallë të boshnjakëve, aq dini ju bre për veri. 40 policë të kanë dërguar ty e Vjosa Osmanin deri në mahallë të boshnjakëve, po ju nuk guxoni me shku atje”, u shpreh ai.
Tutje, Krasniqi i ka bërë thirrje Kurtit që të shkojë në veri të vendit, përcjell Klankosova.tv.
“O zotëri, a po i len fjalët, qu shkojmë në veri, hajde shkojmë në veri, kryeministër je, priju njerëzve”, është shprehur tutje ai.
13:13 – Kurti publikon emrat e “kriminelëve” të veriut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e veçantë në Kuvend, e thirrur për të diskutuar për situatën në veri, ka përmendur emrat e personave për të cilët thotë se janë pjesë e grupeve kriminale serbe në veri.
Ai filloi me Millorad Jevtiq, për të cilin Kurti tha se është njëri nga drejtuesit e, siç u shpreh ai, këtij formacioni ilegal.
“Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi, ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme”
“Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan, bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, “Mbrojtje Civile”. Liliana Aksintieviq, zëvendësuesese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”, tha Kurti.
Ai përmendi emrat edhe të personave që tha se po shihen të maskuar nëpër video e fotografi, përcjell Klankosova.tv.
“Persona që po i shohim të maskuar në video e nëpër fotografi, janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është integruar në shtetin tonë, ky është personi kryesor që po i drejton ata, më 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”, Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë, Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq, Nikolla Radimiroviq, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq”.
“Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit merecenarë rus “Wagner”, kanë arritur në Kosovë. Poashtu i njohur me lidhjet e këtij me këtë grup është edhe Damjan Knezheviq, i cili e drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit”. Edhe ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave nga Serbia në Kosovë. Damjan Knezheviq dhe organizata e tij organizuan protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, me ç’rast u identifikuan një numër i konsiderueshëm personash me simbole ekstremiste ruso-serbe. Është mirë që edhe vendorët edhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra, se nuk i ka sulmuar populli serb, i kanë sulmuar milicia fashiste”, tha ai.
Kurti theksoi edhe disa emra, për të cilët ai tha se kanë lidhje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Vladimir Radivojeviq i cili ka njohje të drejtpërdrejt me presidentin Vuçiq, Daniel Gjukiq, bashkë me një grup personash kanë gjuajtur shok-bomba, këta janë pjesë e grupit të Millan Radojçiqit, të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale. Millosh Gjukiq, vëllai i Danielit, këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Vuçiq. Millan Jugosllav Tomiq, i lindur në Obiliq, e me banim në komunën veriore të Mitrovicës, ka marrë pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës. Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të quajtur “Mbrojtja Civile”, me 31 mars, bashkë me një grup ka shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë. Më tej Peter Millosheviq, Dejan Jevtiq, Nikola Baldini, Millan Zhivkoviq, Vuk Brankoviq, Lluka Vllaskoviq, Bozhidar Todoroviq dhe Radisha Denoviq”
“Fotografia që mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Daniel Shmigiqit, i cili ka qenë e mbase edhe tash është shofer e truproje i nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq. Daniel Shmigiq ka ushtruar sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it”, tha ai.
Tutje, Kurti foli edhe për të arrestuarit pas lëndimit të ushtarëve të KFOR-it.
“Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të dhjetëra ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, i cili e ka shoqëruar Goran Rakiqin gjatë udhëtimit të tij në Beograd, me datë 23 mars 2022 për të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Radosh Mitroviq dhe Zhivojko Miljentijeviq këta janë arrestuar”.
“Më 31 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serb, Ivan Sekuliq dhe Sinisha Jevtiq, ata kanë poseduar materiale të dyshimta, përfshirë maska kamufllazhi, emblema me simbole nacionaliste, kartelë të Veteranëve të Luftës dhe Akademisë për Siguri të Serbisë, shufër metalike, disa thika, substanca narkotike, sprej të ndryshëm, sfera metalike dhe një çekan”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv
12:21 – Haradinaj: Ajo që ne s’po e flasim në Kosovë, është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit?
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para deputetëve në Kuvend tha se në Kosovë nuk po diskutohet se ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit.
Ai u shpreh po devijohet ajo që, siç u shpreh ai, po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij.
“Ajo që ne nuk po e flasim në Kosovë, është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, pra po e devijojmë atë që sot po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu tha se Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, e siç u shpreh ai, veçanërisht në ata të sigurisë, përcjell Klankosova.tv.
“Mosbesim deri në pabesi, jo befasi, por mosbesim deri në pabesi. Kryeministri Kurti, i sotmi, po dikur udhëheqës i Vetëvendosjes, ka ngjallë, ka krijuar, ka mbjellë mosbesim të brendshëm. Pra, gjithmonë e ka ushqyer një mosbesim në çdo proces, në çdo institucion, në çdo palë dhe është rritë me këtë mosbesim. Në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, veçanërisht në ata të sigurisë dhe në garantin tonë kryesor të sigurisë, që është Amerika”, tha tutje ai.
12:04 – Kusari-Lila: Situata në veri, zinxhir i ngjarjeve të cilat s’kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, para deputetëve në Kuvend ka folur për situatën në veri.
Ajo u shpreh se kjo situatë është është zinxhir i ngjarjeve të cilat, siç tha ajo, përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por tha se kanë ndryshuar dinamikë, përcjell Klankosova.tv.
Situata aktuale në veri nuk është sekuencë e shkëputur e një ngjarje ‘ad hoc’, situata në veri është zinxhir i ngjarjeve të cilat përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por kanë ndryshuar dinamikë, e tani po ndryshojnë edhe në përmbajtje”.
“Përceptimi se në veri të vendit para një dekade kishte zhbërje të strukturave ilegale, doli të ishte tërësisht i paqëndrueshëm”, u shpreh ajo.
12:00 – Krasniqi ftesë Kurtit: Hajde shkojmë bashkë në veri – çlirimtar i serbëve
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë ftesë kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që bashkë të shkojnë në zyrat e komunave në veri të vendit.
Ai i tha Kurtit se është lehtë të flitet prej Prishtinës, por sipas tij, është mirë që të shkojnë bashkë në veri.
“Nëse kryeministri po insiston të shkohet në ndërtesat komunale, a guxon ti kryeministër me shku, a shkojmë unë e ti, unë vi me ty. Po hyjmë bashkë në Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut”.
“Lehtë është të thuhet prej Prishtinës, por hajde shkojmë bashkë në veri, hyjmë ne në zyrë, rrimë me ta në zyrë”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai i reagoi edhe për atë që Kurti tha se i duhet ndihmë për t’i çliruar serbët e Kosovës prej trysnisë së Beogradit, duke e quajtur kryeministrin si “çlirimtar i serbëve”.
“Kryeministri i Kosovës e paska qëllimin t’i çlirojë serbët. Çlirimtari i serbëve. Me demokratizu Serbinë, kcyri more punët e tua. Kosova është llugë e ti po më tregon se si duhet bërë parti politike në Beograd”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS
11:54 – Abdixhiku: Reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare, pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të Kurtit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para deputetëve në Kuvend, foli për situatën në veri dhe reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare në lidhje me këtë situatë.
Ai tha se gjithë këto reagime janë pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të kryeministrit Kurti, përcjell Klankosova.tv.
“Reagimet e sekretarit Blinken, pra të vet Departamentit Amerikan të Shtetit, të Bashkimit Evropian, të NATO-s, e shteteve më mike të Kosovës, kundër shtetit tonë, kundër Republikës së Kosovës, popullit tonë, në një kauzë të drejtë, janë si pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, të atij që sot e mban postin e kryeministrit të Kosovës”.
“Ky kryeministër i njëjtë i cili para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar po nga këta miq, mbi gjërat të cilat ai vet nuk i dinte si kryeministër, të njëjtën njerëz, të njëjtit aleatë sot janë naivë, nuk dinë, por ky dinë”, u shpreh ai.
11:52 – Krasniqi, Kurtit: I ke gënjyer kryetarët se do të kenë takim me Elbertin e i ke çu në zyrë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i tha kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se po sillet si gazetar mediokër e jo si kryeministër.
Raportimin e Kurtit për situatën në veri, Krasniqi e quajti histori, teksa tha se ai s’diti të tregoi se cka do të arrij me ato veprime dhe se ishin pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Histori na dhe, historia e vërtetë është se zgjedhjet janë mbajtur si shkak i gabimeve të tua, për shkak të asaj se iu ke premtuar partnerëve ndërkombëtar se do ta shtysh vendimin për targa në veri e në fund s’e mbajtur atë premtim. Ka filluar një proces i daljes prej institucioneve e në fund je tërhequr prej vendimit të targave, sic tërhiqesh gjithë. Cfarë targa në veri, janë targa që kanë qenë gjithmonë, të Serbisë”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Sipas Krasniqit, pikërisht sot një javë, kryetarët e komunave veriore janë gënjyer se do të kenë takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e janë çuar në zyrë.
“Sot një javë në këtë kohë, ti krye në vete pa folur me asnjë njeri e ke nisur një veprim avanturesk pasi s’iu ke treguar as kryetarëve të komunave se do t’i coni në zyrë. I keni mashtruar duke iu thënë se keni takim me Elbert Krasniqin”.
“E ke mbyllur një kryetar si Oso Kuken atje, me kë është duke punuar ai. Por, pse s’po e çon Erden Atiqin në komunë, por e ke çuar në ndërtesë dytësore ashtu sic është edhe Izmir Zeqiri e Ilir Peci”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS
11:22 – Kurti i quan të tepruara deklaratat dhe shqetësimet ndërkombëtare
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se pas betimit të kryetarëve të rinj në veri më 25 maj, mungonte e po mungon ende deklarata se në përputhje me procesin të mos pengohet as puna e kryetarëve deri në zgjedhje të reja.
Ai o quajti deklarata e shqetësime të tepruara, reagimet e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se ato s’i ndihmuan situatës.
“Deklarata e munguar e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës. Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre”.
“Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, por kjo kronologji tregon se jo vetëm që ka pasur konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se s’ka pasur asnjë befasi për partnerët ndërkombëtarë, pasi siç tha, ky ka qenë një proces me shumë hallka e “hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vend të punës.
“Ajo që duhet ta përsëris është se objektet publike të Kosovës i takojnë Kosovës e Kosova është e qytetarëve”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS
11:11 – Kurti: Shoqërimi i kryetarëve me polici s’ishte vendim politik por i organeve të sigurisë – e mbështes edhe sot
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë nuk është vendim politik por vlerësim i organeve të sigurisë, për të cilin tha se e ka mbështetur atëherë e njëjtë e mbështet edhe sot.
Ai tha se të shumtë janë ata që praninë e policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë, e që sipas tij, s’ka nevojë të quhet ashtu, sepse ajo ndërtesë është e Kosovës.
“Nuk ka pasur asnjë arsye të hyhet me forcë në ndërtesë për ata që e shohin vetëm fotografinë e policisë në sekondin kur hyn kryetari, sikur ndërtesa të mos ishte e rrethuar me njerëz të cilët pasi që e kishin blinduar portën, nuk dëshironin të hynte askush”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se kur kryetarët e rinj kanë hyrë në ndërtesa, ato ishin të zbrazëta por të blinduara.
“Ata i dinë që ndërtesat janë të Republikës e jo të tyre. Ata s’po i duan ndërtesat, ata po duan që as ne të mos i duam ato. Unë kam pasur hall që kur vije puna të hyjë kryetari i komunës në Leposaviq, Zveçan a Zubin Potok, çka do të bëjnë serbët që janë në administratë, por ata i kishin braktisur ndërtesat dhe natyrisht që aty hyjnë kryetari i komunës, po kush tjetër”m tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, i pari i qeverisë tha se fakti që ka pasur pengesa në hyrje të komunës, prezenca e policisë ka qenë e justifikuar.
“Dhe nëse e vëreni diskutimin që ka polici i Kosovës me protestuesit e sqaron gjithçka. “Kemi nevojë për korridor për qasje”. E, kur nuk krijohet mundësia për korridor për qasje, natyrisht që na duhet ndërtesa dhe policia këtë e merr nën kontroll këtë aset të Kosovës”, shtoi Kurti, njofton Klankosova.tv.
10:48 – Nis seanca për veriun me 40 minuta vonesë
Me rreth 40 minuta vonesë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka nisur seancën e thirrur nga opozita për debat mbi situatën e krijuar në veri dhe për raportet e vendit me ShBA-në si pasojë e kësaj situate.
Arben Gashi, shef i GP të LDK-së, tha se do të presin çka do të thotë kryeministri Kurti për këto tema, para se të nisin debatin.
“Me propozim të Kryesisë së Kuvendit, kemi ftuar sot kryeministrin Kurti që të raportojë mbi gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe raportet me ShBA-në. Këto janë dy temat për çka e kemi ftuar kryeministrin të raportojë dhe presim raportin e tij dhe pastaj deklarimet tona mbi raportin e tij mbi gjendjen”, tha Gashi. /