Pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Hagë u mbajt seanca e parë hapëse ku Prokuroria pati 5 orë kohë për ta thënë fjalën e saj. Përderisa jashtë objektit mijëra protestues ishin mbledhur nga diaspora, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së. Nacionale sjell të përmbledhur krejt çka ndodhi në seancën e sotme.
Ashtu siç u deklaruan qysh kur u arrestuan, ashtu u deklaruan edhe 2 vjet e gjysmë pas. Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përsëritën se janë të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës. Disa patën vërejtjet për vonesat në nisjen e gjykimit.
Hashim Thaçi: “E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”.
Kadri Veseli: “E kuptoj aktakuzën. Po gjithsesi e shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshën”
Rexhep Selimi:“Po e kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”
Jakup Krasniqi: “E kam të vështirë ta kuptoj akuzën. Nuk kam asnjë lidhje me pikat qëi lexoi Prokurorja para pak kohe. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”.
Këto ishin fjalët e vetme që i thanë në seancën e sotme pjesa e krerëve të UÇK-së. Kjo pasi seanca hapëse i takoi Prokurorisë për t’i paraqitur pretendimet dhe provat e saj.
U.D Prokurori i Specializuar
Alex Whiting, ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar, qysh në nisje të fjalimit të tij bëri të ditur akuzat kryesore ndaj krerëve të UÇK-së. Ai përmendi qindra arrestimet të personave që etiketoheshin si tradhtarë dhe vrasjen e rreth 100 personave. Whiting tha se ka pasur një plan e strategji për t’u marrë me këta persona.
“Ushtarët e UÇK-së mbanin emra të koduar, mbanin maskë. Pas lufte disa dëshmitarë dhe persona të dyshuar kanë pasur interes për të fshehur strukturën dhe rolin që ekzistonin gjatë luftës. Edhe pse kjo çështje gjyqësore do të vërtetojë me shumë copëza mozaiku, sjellje kriminale është mjaft e thjeshtë. Do ta dëgjoni gjatë deklaratës hyrëse se shtabi i përgjithshëm i UCK-së ku 4 të akuzuarit ishin më të rëndësishëm, përqafoi një politikë të shprehur shumë qartë: të shënjestrimit të kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve. Katër të akuzuarit u përfshin direkt në zbatimin e kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar mbikëqyrjen e komandandatëve që e vunë këtë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë”, tha prokurori i specializuar, raporton Nacionale.
Ai deklaroi më tutje se në Hagë po gjykohen individët. Megjithatë, qysh në fjalinë e radhës foli për “qëllimin kriminal të përbashkët”.
“Përse e bën këtë? Përse i kryen këto krime? Provat do të tregojnë se arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë dhe pushtet edhe në Kosovë ndaj personave që që perceptoheshin si kundërshtarë të UCK-së. Mund t’i kenë kryer krimet edhe nga frika, frika se mos kauza e tyre do të zhbëhej apo minohej. Mund t’i kenë kryer edhe nga urrejtja apo hakmarrja për shkak të krimeve që kryheshin kundër tyre. Do të shihni se ndonjëherë komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm i mbronin dhe justifikonin veprimet e UÇK-së duke theksuar rrezikun që kanosej. Tek e fundit motivi i të akuzuarve, arsyeja pse i kryen krimet as nuk përbën element të veprave penale, dhe as nuk është argument mbrojtës”, deklaroi më tutje prokurori Whiting.
“Në kohë lufteje rreziku dhe intensiteti i konfliktit mund të bëj që përdorimi i mjeteve të paligjshme për përparimin e kauzës të ngjajë i domosdoshëm. Dhe këtu hyn në lojë ligji. Pikërsisht për këtë arsye kemi ligjet e luftës. Për të frenuar instinktet më të këqija që dalin në sipërfaqe në kohë lufte. Ja pse janë ligjet e luftës. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për ndalimin arbitrar të civilëve dhe personave të paangazhuar në luftime dhe për keqtrajtimin, torturimin dhe vrasjen e tyre”, theksoi ai.
Whiting e përmendi me emër Thaçin duke thënë se “erdhi fshehurazi për t’u intervistuar”.
“Thaçi erdhi disa herë në Hagë fshehurazi për të dhënë dëshmi. Disa herë ai mohoi shumëcka nga roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm gjatë luftës: pretendoi se shtabi i përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të vitit 1998, dhe pas kësaj date ekzistonte vetëm në letër. Ai mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat që paraqiten në këtë gjykim tregojnë se këto pretendime ishin të rreme. Ato bien ndesh me deklaratat që Thaçi ka dhënë më herët dhe nga provat e shumta që do të paraqiten në këtë gjykim”, përfundoi prokurori i specializuar.
Deklarata e çuditshme e prokurorit
Njëri nga prokurorët që mori fjalën në seancë ishte Matt Hawling. Ai bëri një deklarim që u kritikua mjaft shumë në rrjete sociale. Tha se UÇK-ja i kishte sulmuar me granata 12 stacione të Policisë. E sipas tij, kjo bëri që Serbia ta kryejë masakrën në Likoshan e Qirez.
“Në vitin 1997 UÇK-ja arriti në një pikë ku mund të kryente sulme të orkestruara ndaj Ushtrisë serbe në të njëjtën kohë. Provat treguan se në 1997. Në vitin 1997 UÇK sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmuan nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”, deklaroi ky prokuror.
“Pas sulmeve të UÇK-së, forcat serbe nisën një aksion në Likoshan e Qirez që çuan në humbje të jetës së civilëve. Forcat serbe në 1998 sulmuan Adem Jasharin duke e vrarë atë dhe gjithë familjen. Kjo ngjarje kishte efekt nxitës në Kosovë, me shumë vullnetarë. Luftimet u përshkallëzuan në mars 1998. Zhvillimet e marsit 1998 i kërkuan stafit të përgjithshëm të ndante përgjegjësi e të konsolidonte radhët e veta. Fatmir Limaj shkoi në Kleçkë, Shukri Buja që u udhëzua nga Thaçi të shkojë në Lipjan”, theksoi më tutje prokurori Hawling.
Gjatë fjalës së tij ky prokuror ka publikuar video-inçizime të ndryshme, intervista të eprorëve të UÇK-së, dhe gjithashtu edhe një pjesë të intervistës së Rexhep Selimit me Prokurorinë e Specializuar.
“Sokol Bashota është marrë me komunikatat. Në prill 1998 kemi emëruar zëdhënës që është marrë me komunikatat dhe me konferencat. Në ndërkohë i suportuar nga Hashim Thaçi që ka pasur detyrë të komunikimit me opinionin”, thotë Selimi në këtë intervistim.
Në këtë pjesë u përmendën të gjitha zonat ku Prokuroria pretendon se ka pasur qendra të ndalimit. Përmendet edhe Adem Jashari, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj.
“Do të dëgjoni prova se si UÇK-ja mori civilë serbë, të cilët janë viktimë e vrasjes së paligjshme. Shtabi i përgjithshëm vijoi të punonte dhe drejtonte operacionet pas kësaj ofensive. Në gusht 1998 ku ishte edhe Hashim Thaçi e të tjerët udhëtuan drejt Shalës dhe Llapit, dhe formalizuan komandën e tyre”, deklaroi ky prokuror.
Pjesa më e madhe e këtyre komunikatave ishin të sekuestruara në shtëpinë e Jakup Krasniqit gjatë bastisjeve.
Rektori i dhunshëm serb – “viktimë civile”
Një tjetër prokuror në Hagë mori fjalën. Ai foli në detaje për shumicën e komunikatave të lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e këto i përdori si prova. Megjithatë, në një nga komunikatat, UÇK-ja akuzohet se ka sulmuar rektorin serb, Radivoje Papoviq.
“Ai nuk ishte objektiv legjitim ushtarak. Ishte civil dhe u vu në shënjestër për veprimtaritë e tij në sistemin arsimor”, deklaroi Prokuroria.
Sulmi ndaj Paoviq kishte ndodhur në vitin 1997, me ç’rast ai kishte mbetur i plagosur, dhe duket e çuditshme se si Prokuroria e Specializuar në Hagë e ka futur në narracionin e saj akuzues këtë përderisa aktakuza kundër katër krerëve të UÇK-së përfshin periudhën 1998-1999.
Radivoje Papoviq ishte emëruar si rektor i dhunshëm i Universitetit të Prishtinës pas masave dhe organeve të dhunshme që u imponuan në Universitetin e Prishtinës me vendim të Kuvendit të Serbisë më 27 qershor 1991 (publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”). Me atë rast, nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtines ishte shkarkuar dhunshëm rektori shqiptar, Skënder Karahoda.
Radivoje Papoviqi ishte po ashtu anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të SPS-it, partisë së Slobodan Milosheviqit.
E kur u fol për komunikatat, pjesën më të madhe të kohës e mori komunikata me numër 59, e lëshuar kundër Gani Gecit. Një nga temat që kishte nxitur tejet shumë reagime në Kosovë gjatë tërë kohës.
Prokuroria ka gjetur intervista të Selimit teksa e konfirmon që komunikata numër 59 ishte shkruar nga Hashim Thaçi. Gjë të cilën ky i fundit e kishte mohuar në intervistën e tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Në një intervistë me TPNJ, Thaçi pranoi se komunikonin me komunikatat e UÇK-së. Gjatë intervistës së tij me ZPS-në, Thaçi deklaroi se nuk e dinte kush e shkroi komunikatën e 59 por nuk ishte komunikatë e UÇK-së”, tha prokurori.
“Jakup Krasniqi kishte reaguar ndaj intervistës së Thaçit, duke thënë se asnjë komunikatë nuk është shkruar nga Bahnofat. Dëgjojeni deklaratën e Selimit ku ai thotë se komunikata 59 është shkruar nga Hashim Thaçi”, tha prokurori.
“Zoti Selimi edhe në intervistën e ZPS-së ka pohuar fjalët e tij. Ai ka thënë se Thaçi e kishte lexuar komunikatën me synimin për të shkatërruar personin në fjalë. Pas lufte, çfarë bëri zoti Thaçi? Iu largua përgjegjësisë, por ja që e nxori zbuluar një prej të akuzuarve”, thotë Prokuroria
Fjalën hyrëse në seancën e sotme e ka përfunduar edhe avokati i viktimave. Kurse nesër, do të nisin fjalët hyrëse të avokatëve.
Javën e ardhshme do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të parë.