Fatmir Muja
Vjeshta nuk ka më pak ngjyra se pranvera, po përse ngjyrat e saj ngjallin një mallëngjim tjetër në zemrën njerëzore për të cilën shumë gjëra mbeten të vrojtueshme, por të pashpjegueshme?! Përse njeriu nuk mund t’i shmanget këtij përmallimi të përbotshëm që zbret nga sytë në zemër? Gjethet e venitura janë gjethet që kanë gjelbëruar pemën dhe vjeshta është koha e vdekjes së tyre.
Fundet gjithnjë na mallëngjejnë. A mund të kesh zemër e të mos ndiesh përmallim përballë Pikturës së Gjallë që i është shfaqur syve me të cilët sheh, por nuk parasheh. Kundruar nga perspektiva e përshpirtshmërisë primordiale, gjethet tregojnë për rënien e njerëzve të parë nga Kopshti Parajsor, me ç’rast u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre dhe filluan t’i mbulojnë pjesët intime me gjethet e Pemëve të Kopshtit. Ç’mund ta mallëngjejë njeriun më shumë se humbja e Parajsës dhe rënia në botën e poshtme të angështisë dhe pamjaftueshmërisë? Gjethet e ndara nga Pema, i kujtojnë njeriut vetë ndarjen e tij nga Hyjnorja.
Të humbasësh gjithë Kopshtin për një frut, nuk është thjesht varfëri, por edhe poshtërim nga lakmia. Sa më shumë ta hajë njeriu një frut të tillë, aq më i rënë e i poshtëruar bëhet. Sapo të fillojë përtypja e këtij fruti, në qenien njerëzore fshihet parajsa, bëhet i padukshëm Kopshti dhe mbetet vetëm mendimi për të. Bashkë me hyrjen në gojë të këtij fruti, hyri edhe fjala “e hëngri!” e cila nga shumë gjuhë përdoret për njeriun që pëson diçka.
Kur lind vuajtja? Kur ekziston mendimi për mirëqenien, për të dëshiruarën, por mungojnë kushtet për përmbushjen e sa,j atëherë njeriu do të bjerë në gjendje përvujtnie. Vetëm mungesa dëshmon sa vlen prania. Kur njeriu mbetet vetëm, në mendimet e tij mbetet edhe me atë që do, sepse vetminë nuk mund ta përmbush diçka a dikush tjetër veç qenies a gjësë me të cilën është lidhur zemra. Veprimet janë pasojë e zemrës ashtu siç janë pasojë e rrënjës gjethet e pemës. Mendimet nuk lëvizin zemrën, zemra lëviz mendimet. Një libër është një varrezë, fjalët e tij janë kufoma dhe titulli i tij është vetëm një epitaf, nëse nuk shkruhet me Zemrën e Gjallë të shkruesit dhe nuk lexohet po me të njëjtën zemër nga lexuesi i tij. Filosofia ka kuptimin e dashurisë ndaj dijes dhe urtisë, ndërsa sophia etimologjikisht domethënë shije. Biologjikisht, kur gjuha nuk ndien shijet, shijuesi është “pa qejf” (dhe sado të hajë), pushon të jetë shijues për sa kohë të jetë në atë gjendje. Përtej biologjikes, ç’dije është ajo që nuk është shijuar?
Meqë shumica e filozofëve nuk jetojnë me ato që shkruajnë, një filozof që nuk ka humbur sophian, vlen më shumë se të gjithë librat. Secili njeri është Libër i Gjallë ku janë fshehur dijet e Qiejve dhe Tokës, por disa prej tyre mbeten të hapur për t’u lexuar edhe kur trupat e tyre nuk ecin më mbi tokë.
Zemra nuk burgoset kurrë me burgosjen e trupit. Madje, pikërisht pse është e pamundur burgosja e ca zemrave, ua burgosin trupat. Një trup ha e pi, përmbush motivet e tij biologjike dhe shpërbëhet duke shndërruar formën. Disa i japin vetëm trupit, me gjithë dijen se do të shpërbëhet, ca të tjerë pranojnë ta burgosin trupin e tyre për të mos e humbur lirinë e tyre. Robëria fizike nuk robëron zemrën, ndërkaq robërimi i zemrës e bën të pavlefshme lirinë fizike e cila nuk u mungon as gjallesave të tjera. A nuk mjafton kaq?
Për t’i lexuar mendimet e lira të një të burgosuri, nuk mjafton t’i dish germat, por gjendjet e përshkruara nëpërmjet germave. Brenda mureve mund të qëndrojë vetëm pjesa e shpërbërshme e njeriut. Trupi, po nuk u ushqye, vdes, por edhe po u ushqye, gjithsesi vdes sepse, sikur njeriu të bëhej vetëm për botën trupore, nuk do të vdiste fare. Prandaj, ka njerëz që prangosen, por mbeten të lirë përjetësisht sepse lirinë e tyre nuk e kanë lidhur me trupin, i cili neveritet në fund nga po të njëjtat ushqime që ka shijuar në fillim. Ata që kanë guxuar të mendojnë për fundin e trupit të tyre, kanë guxuar të mbeten të lirë edhe kur u janë prangosur trupat. Me ta mund të flasësh kudo dhe kurdo. Mund t’i falënderosh, mund t’u kërkosh falje edhe pse falënderimi dhe kërkimfalja është e nevojshme për ne e jo për ta.
Profesor, a mund të mbarojnë fjalët nëse nuk mbarojnë ndjenjat?
Kur dal nga “shpella mistike” dhe hedh shkimin mbi njerëzit, mungesa jote dëshmon sa ka vlejtur prania jote. Ka kohë që nuk marrim letra nga burgu sepse jemi vetëburgosur. Ka kohë që nuk mallëngjehemi nga vjeshtat, prandaj nuk gjallërohemi as në pranvera. Ka kohë që nuk ndiejmë shije, prandaj hamë kaq shumë për ta mbajtur trupin. Ka kohë që rrobat kanë ngelur pa njerëz e njerëzit pa rroba, ndërsa gjethet e pemëve të parajsës na mungojnë për t’i mbuluar mendimet tona të lakuriqsuara që nuk vlejnë sa gjethet. Një gjeth që bie, shpërbëhet dhe ushqen rrënjët e pemës duke u përjetësuar në ciklin e jetës. Edhe mendimet e tua po ashtu. Për ta parë sa vlen një gjeth, duhet kthyer te rrënjët nga të cilat marrin jetë të gjitha gjethet dhe të mallëngjehemi sërish nga rënia e tyre. Vetëm vetëkujtimi për rënien, mundëson ngritjen. Duke parë rënien e gjetheve, shohim sa e pavdekshme është pema derisa rrënjët e saj janë të thelluara. Qofshin edhe këto fjalë si gjethet e rëna që ushqejnë këto rrënjë!