Krerët e shtetit do të mblidhen nesër në Reçak, e pastaj në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, për të shënuar përvjetorin e masakrës së Reçakut.
Takimi do të ketë në krye presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.
Pas homazheve në Reçak, të tre kanë planifikuar të mbajnë fjalime. Zyra e Kryeministrit ia ka mohuar OVL-UÇK-së dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadani të mbajë fjalim në organizimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut.
Në fjalimin e tij, dorëzuar Zyrës së Kryeministrit, u përmendën ish-krerët e UÇK-së dhe mungesa e dënimit të serbëve që kryen masakrën në Reçak. Kështu bëri të ditur kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Muhamet Bilalli për mediumin.
“Në bisedim e sipër, na kemi kërku sqarim pse është largu, se na si Këshill Organizativ dhe si fshat e kemi dërguar këtë person [kryetarin e fshatit Reçak]. Ia ka lypë fjalimin Zyra e Kryeministrit, ky ia ka dërgu. Fjalimi u kanë i mirë, nuk ka pasur diçka. Nëse fjalimi ka diçka jashtë normales, le ta përmirësojmë atë dhe del në rregull. Në qoftë se ka nevojë, me heq diçka, me shtu diçka… Fjalimi ka qenë përshëndetje për krerët e shtetit, gjatë fjalimit për masakrën. Fjalimi ka përmbajt theks se asnjë nuk është i akuzuar e i dënuar për Masakrën e Reçakut, asnjë serb. Ndërsa, krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, deklaroi ai.