Vetëm 45 deputetë kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për situatën në sektorin e shëndetësisë në vend. Për shkak të mungesës së kuorumit, rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk hyri në votim. Përmes kësaj rezolute, ndër të tjera kërkohej që qeveria të rris pagat për profesionistët shëndetësorë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu duke e prezantuar rezolutën, tha se njëjta ka për qëllim të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria për të përmirësuar sektorin e shëndetësisë.
“Kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të marrë vendimin për evitimin e menjëhershëm të mbivendosjes institucionale në sektorin e shëndetësisë duke anuluar vendimin për themelimin e komitetit ekzekutiv për shëndetësi; kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës të dërgohet në Kuvend raporti i detajuar sektorial, i cili pos tjerash përfshin nivelin e zbatimit të buxhetit për vitin 2022, nivelin e zbatimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të zyrës kombëtare të auditimit për vitin 2021, masat dhe veprimet që janë ndërmarrë në funksion të zbatimit të planit të punës së qeverisë dhe adresimin e sfidave që e karakterizojnë këtë sektor”, ka thënë Haxhiu, derisa ka prezantuar rezolutën.
Përmes rezolutës deputetët e PDK-së, kërkojnë nga Qeveria që të sjell raport të detajuar për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Të shtohet pika katër e kësaj rezolute dhe të jetë kështu, obligohet Qeveria e Kosovës që në afat prej 15 ditësh të rris pagat për të gjithë profesionistët shëndetësor, ku pagat e mjekut specialistë të jetë 1.800 euro dhe kjo të jetë baza për të gjithë profesionistët shëndetësor, bazuar në kategorizimin aktual në sistemin e pagave në Ministrinë e Financave”, ka thënë ai.
Me këtë ka përfunduar diskutimi, ndërsa për vazhdimin e seancës do të marrë vendim kryesia e Kuvendit.