Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë kanë kryer mëngjesin e së premtes bastisje në furrën e shndërruar në restorant, ‘Bukë e zemër’ dhe banesën e pronarit të saj, Ridvan Muharremi, i cili është arrestuar nën dyshimet se është përfshirë në keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Po ashtu bastisje dhe arrestime u kryen edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku u prangosën dy zyrtarët, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Në Gjykatën e Prishtinës ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre të akuzuarve në rastin vaji dhe gruri.
Avokati i Irfan Lipovicës, Durim Osmani, ka thënë se drejtësia nuk bëhet tek mediat e portalet, dhe as në studio.
Sipas tij, në këtë rast nuk ka as vepër penale, pasi klienti i tij vetëm ka zbatuar ligjin.
“Ka përfunduar seanca dëgjimore, Prokuroria e bëri kërkesën për caktim të paraburgimit. Mbi bazën që i ka kërkesë Kodi i Procedurës Penale. Sipas mbrojtjes, shikimit të provave e materialeve sipas ligjit, pas analizimit të kërkesës, nuk ka kushte për caktim të paraburgimit, madje as për dyshimin e bazum, e as nivelin e dyshimit të arsyeshëm.
Drejtësia nuk bëhet tek portalet, nuk bëhet nëpër studio televizive. Por, bëhet me njerëz që kryejnë shkollë e kanë përvojë të madhe. Këta 3 persona që po e presin vendimin janë të pafajshëm.
Deklarimin nuk mundem me dhanë në intervistë. Ata e kanë qëndrimin si zyrtarë administrativ në kuadër të MINT-it në kohën e procedurave tenderuese, ai e ka qëndrimin dhe pajtohem me të, që veprimet e tij administrative dhe organeve administrative, janë në përputhje me ligjin dhe ligjeve të Kosovës. Ky është qëndrimi i tij në mënyrë të përgjithshme. Nuk ka shkelje të ligjit, nuk ka vepër penale.
Nuk kena koment për dokumentet sekrete. Sipas mbrojtjes, secila provë është material, nuk ka prova që nuk administrohen. Gjithçka është provë. Tema tjetër është a ka vepër penale, Prokuroria duhet me siguru prova, pavarësisht natyës së provave. Pyetja është a ka vepër penale, a ka keqpërdorim të autorizimeve. Nëse ka keqpërdorime, a është kryer me dashje për veprimet objektive”, ka thënë Osmani para gazetarëve.