Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar të shpërndahen. Ata qëndruan para objektit të Komunës per ore të tëra, ndërkohë që në QMF vendosen një flamur gjigant të Serbisë.
Në protestën e sotme nuk u panë serbë me maska, ndërsa në mesin e tyre pati edhe fëmijë.
Ajo që ra në sy ishte edhe fakti se protestuesve iu soll ushqim në mënyrë të organizuar.
Ndërkaq, në fund të ditës një protestues që u dyshua të jetë i dehur, ka tentuar t’i afrohet Policisë së Kosovës, por i njëjti u largua nga qytetarët e tjerë serbë.
Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni ndërsa në Zveçan kanë dëmtuar edhe veturën e policisë.