Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar përfshirjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e Luginës së Preshevës, të cilat do të mbahen të dielën e 2 qershorit 2024.
”Përfshirja me ndarje, Kurti, po përfshihet për t’i ndarë përfaqësuesit politik në Kosovën Lindore, fatkeqësisht duke favorizuar dikë dhe duke lë dikë anash”, ka theksuar ai.
‘’Reagimi i Sami Salihut, është për shqetësim sepse ai nxjerrë në pah se atje lexohet se dikush është me Kosovën dhe dikush tjetër me Serbinë dhe kjo nxjerrë tensione dhe ndarje të ashpra mes shqiptarëve atje’’ ka theksuar Haziri.
Në anën tjetër, Haziri ka konsideruar se po të ishte përfshirja e Kurtit në zgjedhje për t’i afruar shqiptarët do të ishte normale, por ndërhyrja si kjo është shembull i keq për të.
’Me pas qenë një lloj mendësie që përafron shqiptarët atje, sipas vullnetit të tyre, do ishte krejt normale por kjo ndërhyrje është shembull i keq”, ka shtuar ai.
Për Hazirin kjo ndërhyrje e Kurtit në zgjedhjet e Luginës së Preshevës e ‘’legjitimon’’ ndërhyrjen e Vuçiqit në veri dhe në territor të Kosovës.
‘’Është edhe më keq sepse po e legjitimon ndërhyrjen e Vuçiqit në Veri dhe në territor të Kosovës, mandej me mekanizma tashmë e sa vite problematik që është bërë, dhe ky ”legjitimin” largon argumentin kryesor që ne nesër të kundërshtojmë këtë lloj burimi të destabilizimit nga ana e Serbisë. Në anën tjetër shqiptarët kanë një referendum atje tash e 35 vjet dhe duhet mos të manipulohet me atë vullnet të popullit shqiptar, dhe tash flet për parime tjera krejt dhe është harruar verdikti shqiptar në ato tri Komuna’’ ka deklaruar Haziri.
Përndryshe, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, sot në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Prishtinë do të marrë pjesë në tubimin me qytetarë të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), e cila vepron politikisht në Luginë të Preshevës.
Kurti pritet t’i ftojë qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që në zgjedhjet lokale të 2 qershorit 2024 t’i votojnë dy kandidatët e PVD-së për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, përkatësisht Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin.
Para Luginës së Preshevës, Kurti ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku ka përkrahur koalicionin e forcave opozitare VLEN.