Bedri Hamza, Memli Krasniqi, Uran Ismaili dhe Vlora Çitaku janë katër kandidatët më të votuar për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), derisa po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputet.
Deri të dielën, janë numëruar mbi 73 për qind të votave të kandidatëve për deputet. Numërimi po vazhdon sot në 19 qendra komunale.
Bazuar në një listë të cilën e ka publikuar agjencia e lajmeve KosovaPress, kandidati për kryeministër Bedri Hamza ka siguruar 122 mijë vota, ndërkaq Memli Kransiqi është i dyti me 69 mijë vota.
I treti me 29 mijë vota është Uran Ismaili.
E katërta është Vlora Çitaku, nënkryetarja e PDK-së, e cila ka arritur të sigurojë mbi 28 mijë vota pas numërimit të mbi 73 për qind të tyre.
Lista vijon me Sala Jasharin, Enver Hoxhajn, Jakup Nurën, Përparim Grudën, Ganimete Musliun dhe Rrahman Ramën, të cilët e plotësojnë dhjetshën e parë, shkruan Paparaci.
Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për subjektet politike, PDK-ja doli e dyti me 22.05 për qind pas numërimit të mbi 99% të votave.
Partia, e udhëhequr nga Memli Krasniqi, pritet t’i sigurojë 25 ulëse në Kuvendin e Kosovës, tha para rreth një jave Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.
Ndarja e ulëseve në kuvend mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre nga diaspora.