Mungesa e një deklarate të përbashkët të QUINT-it rreth vendimit të Kryeministrit Kurti për targat dhe pritja e paparalajmëruar që iu bë Kurtit në Londër, sipas ish-kryediplomates kosovare, mund të lexohen si shenja se ka mospajtime mes aleatëve perëndimorë.
Shtetet a Bashkuara kanë reaguar shpejt pasi Kryeministri Albin Kurti nuk iu bind me përpikëmëri për afatin e targave. Por, jo edhe shtete e tjera të QUINT-it.
Ish-Kryediplomatja kosovare Meliza Haradinaj më shumë se njëherë ka ngritur dyshime mbi mungesën e një deklarate të përbashkët të QUINT-it, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Sipas Haradinajt, kjo mund të lexohet si një shenjë se mes pesëshes së Perëndimit, SHBA-së, Francës, Gjeramnisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë, mund të ketë mosmarrëveshje.
“Hamendësimi im për mungesën e një deklarate të QUINT-it për targat e automjeteve mund të jetë një shenjë e mosmarrëveshjes/ve mes aleatëve”, ka shkruar ajo dje.
Këtë ish-Kryediplomatja e lidh me vizitën e papritur të Kryeministrit Kurti në Londër. Atë e bëri publike vetë Sekretari për Punë të Jashtme i Britanisë, me një postim për bisedën me Kurtin që nga përshkrimi duket të mos ketë pasur mospajtime. Haradinaj thotë se njoftim i kryediplomatit britanik mund të lexohet si “mesazh përkrahës”.
“Takimi dhe deklarata e sotme prej Sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, mund të lexohet si mesazh përkrahës”, shkroi tutje ajo.
Në fundjavë, Haradinaj ka hapur një sondazh në profilin e saj në Tëitter, ku ka 28 mijë ndjekës. Aty pyeste për arsyen e mungesës së një reagimi të përbashkët të QUINT-it në lidhje me targat. Opsionet ishin “se pajtoheshin me deklaratën e SHBA-së” dhe se “nuk pajtoheshin me deklaratën e SHBA-së”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pak orë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta zbatojë vendimin për heqjen e targave të automjeteve, të cilat i lëshon Serbia ilegalisht për zona të ndryshme të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Shtetet e QUINT-it i kërkonin Kurtit që të shtynte për 10 muaj afatin për zbatimin e vendimit për targat ilegale.
Kurti vendosi që vendimin për targat ta zbatonte shkallë-shkallë dhe prej 1 nëntorit të lëshonte vetëm qortime për ata që akoma qarkullojnë me targa ilegale. Më pas të vinin gjobat, ndërsa i jepej afat që deri më 21 prill të 2023-s, t’i heqin tërësisht nga përdorim targat e lëshuara nga Serbia.