I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka njerëz që mbijetojnë politikisht përmes krizave.
Kështu ka thënë ai në një diskutim në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik në Washington për dialogun Kosovë-Serbi, ku i ftuar është edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton klankosova.tv.
“Ne i inkurajojmë të dy liderët që ta pranojnë planin e BE-së pa kushte. Nuk ka opsion tjetër përveç qetësimit të situatës dhe kthimit te dialogu. Më duhet të them se komuniteti transatlantik është shumë i bashkuar rreth kësaj”, ka thënë Escobar.
“Ideja që njëri nga liderët të vendosë kushte në një plan që është zhvilluar me kujdes nga BE-je në koordinim me ShBA-në, mendoj se është e pamatur”, ka shtuar ai tutje.
Sipas tij, integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sjell me vete mundësi të mëdha për rajonin.
“Unë besoj se gjenerata e ardhshme e njerëzve të Ballkanit duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Por nuk mund të arrihet ajo nëse ka kriza”, thotë më tej Escobar.
“Unë besoj se ka njerëz në rajon që mbijetojnë politikisht nga krizat politike. Unë po shpresoj që palët dhe liderët do ta kuptojnë që qetësimi i situatës dhe dialogu është mënyra e vetme përpara për rajonin”, thekson ai.