Pensionet që marrin aktualisht po u duken të vogla.
E me kërkesën për rritje të tyre, nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës thonë se s`po merret askush nga Qeveria.
Kjo ani se sipas kryetarit të kësaj kategorie Nijazi Gashi disa herë u çuan “selame” qeveritarëve.
“Kemi bërë kërkesa me u ngrit. S`po na përgjigjen as ministri Hekuran Murati e as kryeministri Albin Kurti. Asnjëri nuk po na përgjigjet. Kemi bërë shkresa, kërkesa, letra, por kot”.
Pensionistët pohojnë se anashkalimi po bëhet në një kohë kur çmimet e produkteve bazike janë rritur ndjeshëm në vend.
Sipas matjeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2022 me muajin dhjetor 2021 ishte 12.1%.
Pensionet aktuale variojnë, nga 100 euro ato baziket, 190 për pensionistët me shkollë të mesme dhe 265 për ata me fakultet
Sipas Gashit, këto pagesa nuk do t`u mjaftonin as foshnjeve e lëre më të moshuarve.
Andaj ky po don që për të gjitha kategoritë të ketë ngritje për plus 100 euro.
“Duam që pensioni i 100 eurove të bëhet 200, ai i 190 – 290, kurse ky i 265 të shkojë në 365. As për ilaçe s`na mjaftojnë pensionet aktuale”, pohoi Gashi për “Front Online”.
Nga Shoqata e Konsumatorëve, në anën tjetër, theksojnë se pensionerët me “rrogën” e tyre aktuale nuk mund ta mbushin bollshëm shportën e konsumatorit.
“Shtrenjtimi është shumë më i lartë sesa në ASK. Ne paguajmë shumëfish më lart. Gjendja është më e keqe. As për ilaçe nuk i mjaftojnë pensionistëve. As me pagu ceremoninë e varrimit të vet”, u shpreh Selatin Kaçaniku nga kjo shoqatë.
Qeveria nuk ka përmendur se ka në plan t`i ngris pensionet. Ekzekutivi ndau vitin e shkuar disa herë nga 100 euro për pensionistët