Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se Kosova po çalon në tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendore dhe për këtë përgjegjëse e sheh Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se ka qasje të egër ndaj sektorit privat. E përballë kësaj situate, në PDK thonë se është i domosdoshëm miratimi i Ligjit për investime strategjike.
Koordinatori i Financave në PDK, Arben Mustafa në një intervistë për KosovaPress adreson kritika karshi ekzekutivit edhe për qasjen që sipas tij, ekzekutivi iu ka bërë të interesuarve për të fituar statusin e investitorit strategjik.
Sipas tij, qasja joserioze e qeverisë ndikon që të mos ketë investime të huaja në vend.
Sipas tij, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka dështuar t’i mbajë premtimet karshi sektorit privat. Derisa thekson se ajo duhet t’i kthehet komunikimit me këtë sektor, ai thotë se zgjidhjet e njëanshme e që formulohen brenda zyrave të qeverisë pa komunikim me sektorin privat nuk mund të jenë të suksesshme.
Se Kosova ka nevojë për rritje të kapaciteteve për investime të huaja, Mustafa thotë se e e dëshmon fakti se në kuadër të tyre dominojnë investimet në patundshmëri që vijnë nga diaspora.
“E kemi një situatë ku sektori privat nuk duket se është ndër prioritetet kryesore të kësaj qeverie… Rreth 70 për qind e investimeve të huaja direkte që vijnë në Kosovë, janë investime në patundshmëri dhe nuk kemi ndonjë rrjedh të rëndësishme te investimeve të huaja në sektorët prodhues, të cilët mund të jenë më të rëndësishëm për të gjeneruar vende pune dhe zhvillim ekonomik… Kjo qeveri e ka lënë vendin pa një ligj për investime strategjike dhe ajo që është shumë shqetësuese është trajtimi që i ka bërë të interesuarve për të fituar statusin e investitorit strategjik”, thotë Mustafa.
Derisa flet për rëndësinë e miratimit të Ligjin e investimeve strategjike, Mustafa kritikon Qeverinë Kurti për siç thotë ai, qasje të egër ndaj sektorit privat.
“Kështu është e domosdoshme që të lëvizet sa më shpejt me një ligj të ri… Kjo qeveri që nga ardhja në pushet më tepër ka folur për mundësinë e një lufte, konflikti sesa ka folur për Kosovën, si një vend me stabilitet dhe një vend të qëndrueshëm dhe të sigurt për investime. Pjesa e infrastrukturës është shumë e rëndësishme për investitorët e huaj, ajo çfarë po shohim tani është një degradim i infrastrukturës qoftë asaj rrugore, të furnizimit me energji elektrike dhe në këtë mënyrë nuk po flasim për përmirësim të kushteve të biznesit. Për më tepër diskursi i kësaj qeverie ndaj sektorit privat është i egër. Nëse e shohim se çfarë dikursi ka ndjekur kjo qeveri gjatë vitit të kaluar shohim se më tepër ka folur për masa të kontrollit të çmimeve, për masat të cilat e kufizojnë aktivitetin në sektorin privat, sesa që është marrë me krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sektorit privat… Kosova po çalon në ngritjen e kapaciteteve të vendit për të tërheq më shumë investime të huaja dhe vendore”, thotë Mustafa.
Kordinatori i Financave nga PDK thotë se Qeveria Kurti ka një mungesë të madhe mirëbesimi ndaj sektorit privat dhe kjo ka krijuar një pasiguri të madhe tek bizneset.
Mustafa potencon se Qeveria duke u marrë me tema për dialogun, ka harruar që kishe prioritet zhvillimin ekonomik e mirëqenien e vendit.
Në PDK nuk janë optimist as sa i përket Fondit Sovran, pasiqë konsiderojnë se i njëjti nuk do të ketë ndonjë efekt në ekonominë e vendit.
Sipas Mustafës, bordet e ndërmarrjeve publike, edhe te agjencive tjera të pavarura po popullohen me njerëz puro partiak.
Ai u shpreh se aktualisht parashikimet për rritje ekonomike edhe për vitin 2023 janë diku mbi 3 për qind por që sipas tij, është më pak se mesatarja e rritjes ekonomike në 10 vitet e fundit. Mustafa thotë se me këtë ritëm të zhvillimit ekonomia e Kosovës nuk pritet të ketë një ndryshim të shpejtë të kushteve të jetesës.
Në fund, ai foli edhe për Korporatën e Energjisë të Kosovës, (KEK).
Mustafa thotë se nga ajo që po shihet flitet për keqpërdorime të mëdha financiare, për një dukuri e cila në të kaluarën nga vet LVV është quajtur si dukuri kriminale, pra sipas tij, flitet për tenderë njëburimor të cilët më parë janë kualifikuar si dukuri kriminale korruptive. Sipas tij, të gjithë tenderët janë bazuar në qasjen njëburimore, dhe se nuk ka pasur procese të hapura të prokurimit e tenderët janë negociuar në tavolinë.