Tre kandidatët për kryeministër nga partitë opozitare PDK, LDK e AAK e kanë përjashtuar mundësinë për krijimin e një koalicioni paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje [LVV] pas mbi 97% e rezultateve të numëruara nga KQZ-ja.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët kanë votuar që opozita të udhëheqë me vendin, duke deklaruar se ai do t’iu ofrojë qytetarëve qeverisjen që duan.
Hamza ka thënë të hënën në një konferencë për media se PDK-ja s’do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën te ne në PDK dhe në LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti zgjedhjet si referendum për veten, por qëllimi s’u arrit. Ai i kërkoi 500.000 vota, por s’i mori. S’ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Në këto zgjedhje janë fuqizuar partitë opozitare. Ne s’do të përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në”, është shprehur ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se do të ketë organizim më të mirë të brendshëm partiak.
Teksa ka falënderuar votuesit për mbështetjen ndaj tyre, Abdixhiku ka thënë se pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e saj politike.
Ai ka thënë se nuk dinë dhe nuk duan ndryshe, derisa ka përmendur rrugëtimin e deritanishëm.
“E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dimë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe. Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë! Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike”, ka thënë Abdixhiku.
Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar një koalicion të mundshëm me kryeministrin në largim, Albin Kurti.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Haradinaj ka thënë se do të bashkëpunonte me partitë opozitare për ta krijuar shumicën.
Ai ka konsideruar se rezultati preliminar i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk është i kënaqshëm, teksa ka thënë se pret që të ketë rreth 70 mijë vota në total.
“Ne kemi ruajtur një votë që kishim, në totalin e kësaj vote jemi diku 70 mijë kur të përmbyllet ky proces, nëntë deputet edhe pse jemi në koalicion. Nuk është një rritje por është një ruajtje e besimit që kishim në të kaluarën. Është në nderin tim që të ndihmojë një qeveri të opozitës, asnjëherë me z. Kurti. Me kënaqësi do të bashkëpunonim me subjektet politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën edhe që është e mundshme realisht nëse kemi këtë gatishmëri. Jemi të gatshëm për këtë. Pa asnjë kusht. Nuk kërkojmë asnjë kusht që pengon të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se ky rezultat i deritanishëm nuk është i duhuri për vendin.