Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e parë të kryesisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku është vlerësuar pozitivisht fushata zgjedhore, ku u diskutua edhe për hapat e ardhshëm politikë të kësaj partie.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen e thellë për angazhimin e kryesisë, kandidatit për kryeministër, kandidatëve për deputetë, anëtarëve të partisë, strukturave dhe gjithë mbështetësve.
“Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë ma të mirë”, tha Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Krasniqi e Hamza, sipas njoftimit, thuhet se kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve.
“Kryetari Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore”.
“Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur mbështetjen e plotë për qëndrimet dhe hapat e mëtejshëm politikë të partisë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, PDK-ja tha se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët.