Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka njoftuar se Patriot Krasniqi është zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Itali.
Kreu i PDK-së ka theksuar se procesi i zgjedhjes së kryetarit ka qenë demokratik dhe me vota unanime.
“Punën disa mujore për themelimin e nëndegëve të PDK-së në Itali, të udhëhequr nga Komisioni për Organizimin e Partisë Demokratike në Mërgatë, e finalizuam sot në Firencë, me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të Degës sonë në këtë shtet. Në një proces tejet demokratik, me votat unanime të delegatëve, kryetar u zgjodh Patriot Krasniqi”- ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Krasniqi ka treguar se Patriot Krasniqi është një afarist i suksesshëm në Firencë, që vjen nga një familje atdhetare nga Prizreni dhe me kontribut të madh për vendin.
“Ashtu sikur në Zvicër, Suedi, Kanada dhe shumë shtete të tjera, edhe sot në Itali, bashkë me mërgimtarët tanë të shumtë, rifilluam një rrugëtim të përbashkët politik e kombëtar, që në themel të tij ka kontributin për Kosovën dhe për qytetarët tanë”- ka shkruar ai.