Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar para deputetëve Marrëveshjen për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.
Sipas Muratit kjo marrëveshje mundëson reformat në skemat pensionale dhe sociale e cila është në vlerë prej 47 milionë euro.
Ai kërkoi nga deputet që ta votojnë këtë marrëveshje pasi është e rëndësishme.
“Kjo marrëveshje mundëson reformat në skemat pensionale dhe sociale. Në vlerë prej 47 milionë euro kjo marrëveshje është lidhur me Bankën Botërore. Arsye pse po e sjellë për herë të tretë, sepse e konsiderojmë që është i rëndësishëm që duhet të bëhet. Janë më mijëra familje dhe qindra pensionist që presin që kjo marrëveshje të kalojë. Po të ishte një marrëveshje e thjesht nuk do të kisha sjellur për herë të tretë. Të lihen anash inatet politike”, tha ai.
Këtë marrëveshje, e përkrah Partia Demokratike e Kosovës. Sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Ablerad Tahiri, tha se arsye që e përkrahin marrëveshjen, është premtimi për ndarjen e 15 milionë eurove për vërshimet në Skenderaj e Mitrovicë.
“Në dy herët e kaluar e kemi votuar kundër. Në plotësim ndryshimin që e kemi bërë është shtuar një nen, që 15 milionë euro do të ndahen për komunën e Skenderajt dhe Mitrovicës për dëmet që kanë ndodhur nga vërshimet dhe pikërisht për këtë ne kemi ndërruar qëndrim dhe pa dyshim do ta votojmë këtë marrëveshje”, tha ai.