Analisti Imer Mushkolaj ka reaguar pas kritikave në rrjete sociale ndaj gazetarëve e analistëve që shkuan në takimin e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Mushkolaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se njësoj veproi edhe kur në takime të ngjajshme, ftohej nga Lëvizja Vetëvendosje kur ishte në opozitë.
“Iu kam përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK’së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë. Njësoj kam vepruar edhe kur më ka ftuar VV, sa ka qenë në opozitë. Do t’iu përgjigjem edhe ftesave të tjera të ngjashme – edhe nga qeveria. Nuk shoh asgjë të keqe që të dëgjohen e shkëmbehen ide. As të përplasen mendime.” – ka shkruar ai.
Po ashtu, Mushkolaj tutje tha se ka kërkuar nga kryetari Abdixhiku që të distancohen nga gjuha e zyrtarit të kësaj partie, Gazmend Muhaxheri.
Postimi i plotë:
Iu kam përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK’së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë. Njësoj kam vepruar edhe kur më ka ftuar VV, sa ka qenë në opozitë. Do t’iu përgjigjem edhe ftesave të tjera të ngjashme – edhe nga qeveria.
Nuk shoh asgjë të keqe që të dëgjohen e shkëmbehen ide. As të përplasen mendime.
Nuk e bojkotova takimin edhe pse i pranishëm ishte edhe Gazmend Muhaxheri, i cili një natë më parë bëri krahasimin skandaloz të qasjes së Albin Kurtit në veri me Slobodan Milosheviqin.
Nga Lumir Abdixhiku kërkova që ai dhe LDK të distancohen nga kjo gjuhë e rrezikshme e Muhaxherit. Nëse kjo qasje është mendësia e “alternativës” së LDK’së, atëherë s’kam koment.