Bordi i Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” ka përfunduar mandatin e tij trevjeçar të caktuar nga Qeveria e Kurtit, por ende nuk ka një bord të ri, shkruan Demokracia.com.
Më 26 janar, të gjithë anëtarët e Bordit kanë përfunduar mandatin, duke përfshirë Gëzim Pacin si kryetar dhe Sebahate Krasniqin, Safija Besenin e Hyrmete Mydydin si anëtare.
Demokracia.com ka mësuar se pas një darke lamtumirëse me menaxhmentin, anëtarët e Bordit janë rikthyer sërish në punë për një periudhë të caktuar. Megjithatë, punonjësit e Postës nuk janë informuar për rikthimin e Bordit të vjetër.
“Anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës u ka skaduar mandati dhe në ditën e fundit të mandatit të tyre, bashkë me menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje publike, kanë shijuar një darkë të majme lamtumirëse në një restorant në Prishtinë. Megjithatë, të njëjtit janë kthyer sërish në punë me vendim të Qeverisë Kurti, ndonëse pas pak ditësh vendi votonte për qeverinë e ardhshme. Për rikthimin e Bordit të vjetër nuk janë njoftuar punëtorët e Postës”, ka treguar një sinjalizues brenda Postës së Kosovës për Demokracia.com.
Më 11 shkurt, Demokracia.com ka drejtuar pyetje në adresën e Zyrës së Informimit të Postës, për të zbuluar kur ka përfunduar mandati i Bordit dhe nëse është marrë ndonjë vendim gjatë kohës pa mandat. Zyra për Informim nuk ka ofruar përgjigje.
Qeveria e Albin Kurtit disa muaj më parë ka organizuar konkurs për të plotësuar vendet boshe të Bordit të Postës, por ende nuk është finalizuar procesi. Në fund të dhjetorit të vitit 2024, zyra e Kurtit ka shpallur një listë të ngushtë prej 9 kandidatësh, përfshirë Gëzim Pacin si kryetar të Bordit dhe dy anëtarët e bordit, Safije Beseni dhe Visar Nura.
Lista e kandidatëve të ngushtë përfshin:
- Selvete Xhigoli
- Kreshnik Dreshaj
- Agim Mucaj
- Sebahate Rexha
- Visar Nura
- Gëzim Paci
- Malush Mjaku
- Safije Beseni-Shala
Ky proces po vazhdon me shpresën për një bord të ri në të ardhmen e afërt. /Demokracia.com/