Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme, më në fund e ka marrë vesh që ka Marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse me vonesë. Në një intervistë për televizionin e publik, ajo tha se Asociacioni i Komnave me shumicë serbe “nuk do të ketë kompetenca ekzekutive” ndonëse këtë Asociacion e shpallte krye më vete “të vdekur” një numër herësh gjatë kohës sa Marrëveshja Bazë po negociohej e pjesë e të cilës vetë nuk ishte. Megjithatë, Gërvalla, tash ka një ide si do të duket kjo: pa kompetenca ekzekutive.
Tash, halli i Gërvallës është te “ajo çfarë dëgjoj në media” në lidhje me Asociacionin. Sipas saj “nuk ka asnjë zotim” që Asociacioni me kompetenca ekzekutive të bëhet “siç ka qenë temë e së kaluarës” ani pse është ai Asociacion i vitit 2013 dhe 2015. Ministrja e Jashtme, vahzdon të jetë e hutuar ose e painformuar gjatë intervistës. Thotë se “nëse ka nevojë për organizimin e komunave me shumicë serbe” thuase është nevojë e jo një marrëveshje e pranuar e ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme, ajo thotë se ajo mund të bëhet “pa të drejta ekzekutive dhe pa cenuar sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”.
Nuk ishte as një muaj më parë kur Gërvalla demantoi të gjithë – Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Ndërmjetësit e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – rreth Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve të arritur fillimisht në Bruksel dhe më pastaj në Ohër. “Nuk ka marrëveshje me Serbinë”, i pati thënë ajo medias portugese “DN”. “E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë”, supozonte ministrja e jashtme.
“Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht Serbia nuk ishte gati për këtë”, vazhdonte ajo.
“Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet firma, refuzojnë”, derisa shtoi edhe se “Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”.
Gërvalla shquhet për prekjen e mangët me realitetin politik në vend dhe me jashtë, teksa markë shënjuese kryesore e punës së saj në ministrinë pasqyrë të shtetit me botën mbesin huqjet serike të cilat zakonisht ngjallin indinjatë tek njohësit e çështjeve të diplomacisë por edhe ndër qytetarë.