Kreu i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Sali Berisha zgjodhi të vizitojë Kishën Ortodokse të Kavajës me rastin e festës së Pashkës, një ngjarje shumë e rëndësishme në kalendarin e Krishterë.
Ish-kryeministri pasi uroi festën për gjithë besimtarët bëri dhe dy premtime për komunitetet fetare që do të realizohen nëse ai fiton në zgjedhjet e 11 majit.
“Gëzuar të gjithë besimtarëve ortodokse. Jam i nderuar të jem këtu. Pas Krishtit mbret besimet fetare kanë ringjalljen e dytë në Shqipëri. Meritat tuaja janë të mëdha. E ngritët nga hiri në kushte të vështira. Psikologjia ateiste është fatkeqe për njeriun, e përjashton atë nga disa shtylla bazë të ndërgjegjes. Përkushtimi ndaj Zotit dhe njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një institucion i rëndësishëm. Kudo dora e Kishave dhe Xhamive e Teqeve tek ata që janë në gjendje të pamundur është reale me të gjitha mundësitë.
Ne do të bëjmë dy gjëra. Do dyfishojmë fondin për komunitetet fetare. Ky fond ka mbetur aty ku ishte. Është e domosdoshme të dyfishohet. Brenda mandatit që vjen, ne do të zgjidhim problemin e pronave për institucionet fetare dhe gjithë shqiptarët. Ne kemi marrë angazhim që çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar të gjithë potencialin e shtetit”, tha Berisha. /A2CNN/