Indeksi i pasaportave Henley me seli në Londër e ka publikuar listën për vitin 2023, ku janë të renditura pasaportat e afro 200 shteteve, në të cilën e ka bërë edhe renditjen e tyre për nga fuqia e udhëtimit.
Në këtë listë pasaporta e Kosovës është renditur në pozitën e 101-të, pra vetëm tetë vende më lartë se ajo e Afganistanit e cila është e fundit, njofton Klan Kosova.
Edhe nëse krahasohet me vendet e rajonit si Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, pasaporta e Kosovës sërish mbetet më e dobëta.
Më së miri në rajon qëndron ajo e Serbisë duke u renditur në vendin e 38-të. E 44-ta është pasaporta e Maqedonisë së Veriut, ndërsa një numër poshtë ndodhet ajo e Malit të Zi.
Në pozitën e 49-të renditet Bosnja dhe Hercegovina. Ndërsa Shqipëria qëndron në numrin e 51-të.
Ndërsa e para në ranglistën e HPI-së qëndron pasaporta e Japonisë. Pra, 100 vende para Kosovës.
Klan Kosova i ka dërguar pyetje ambasadorit të Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmarit, për ta pyetur se pse pasaporta e Kosovës qëndron kaq dobët në këtë listë dhe se a pritet që të ketë ndonjë përmirësim në një të ardhme të afërt, mirëpo i njëjti ka kërkuar që këto pyetje t’i adresohen Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Të njëjtat pyetje i janë përcjellë edhe MPJD-së; mirëpo deri në momentin kur është publikuar ky shkrim, Klan Kosova nuk ka pranuar përgjigje.
Në pozicionin e 101-të, Kosova ndodhet në një grup me Bangladeshin dhe Libinë. Mbase viti 2024 mund ta gjejë Kosovën në një pozicion më të mirë. Kjo për faktin se përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Në rast se bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, kjo automatikisht iu mundëson qytetarëve që të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Klikoni KËTU për ta parë ranglistën e Henley Passport Index për këtë vit.
Indeksi i pasaportave Henley bën renditjen origjinale, autoritative të të gjitha pasaportave të botës sipas numrit të destinacioneve që zotëruesit e tyre mund të kenë qasje pa vizë paraprake.
Indeksi bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) – databaza më e madhe, më e saktë e informacionit të udhëtimit – dhe e përmirësuar nga ekipi hulumtues i Henley & Partners.