Disa ditë pasi më shumë se 150 persona vdiqën gjatë festimeve të Halloween në Korenë e Jugut, qindra këpucë të braktisura mbetën të shtrira në rreshta në një fushë badmintoni në kryeqytetin Seul.
Policia ka mbledhur këpucët dhe 1.5 ton gjësende personale të mbetura nga viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë, me shpresën se pronarët, ose miqtë dhe familja e tyre, do t’i marrin ato.
Aksidenti vdekjeprurës ndodhi pasi dhjetëra mijëra persona u mblodhën për festimet e Halloween të shtunën në mbrëmje. Një pjesë e turmës u bllokua në një rrugicë të ngushtë, midis një rreshti të dendur vitrinash dhe hotelit historik Hamilton të distriktit. Pjesëmarrësit e festës u panë duke marrë të plagosurit dhe të vdekurit, ndërsa dhjetëra trupa të pajetë të mbuluar me batanije u shtrinë në rreshta në trotuarin aty pranë.
Rreth 250 palë këpucë në palestër janë pjesë e një koleksioni të madh gjësendesh të braktisura të gjetura në Itaewon pas tragjedisë. Janë gjithashtu qindra veshje, duke përfshirë pallto dhe kostume të personazheve të filmit, si dhe çanta, telefona inteligjentë, kufje “Bluetooth” dhe disa pasaporta, shkruan “The Independent”.
Zyrtarët e policisë së Yongsan, të cilët do ta mbajnë palestrën hapur për 24 orë deri të dielën, nuk konfirmuan menjëherë se sa prej artikujve iu janë kthyer pronarëve të tyre.
Nga kjo tragjedi vdiqën 156, ndërsa 151 po trajtohen nga lëndimet e marra, 29 prej të cilëve janë në gjendje kritike.