Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka takuar sot të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Vuçiq sot pas takimit me Lajçakun ka bërë të ditur se biseda ka qenë e vështirë dhe përmbajtësore dhe se diskutimet do të vazhdojnë, transmeton Demokracia.com.
“Ne do të vazhdojmë sonte dhe nesër bisedën për Kosovën dhe të ardhmen evropiane të Serbisë”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë në Instagram.
Takimi në godinën e Presidencën serbe ka përfunduar pak pas orës 15:30.
“Vuçiq dhe Lajçak diskutuan propozimin evropian, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe hapat e tjerë të nevojshëm që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Vuçiq theksoi se Serbia punon me përgjegjësi dhe i qaset bisedimeve me qëllim të arritjes së kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, të cilat janë të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, pa kufizime të përcaktuara. Vuçiq me atë rast ritheksoi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.