Prokuroria e Specializuar e Hagës ka përfunduar me dëshmitarët në rastin e krerëve të UÇK-së. Edhe provat i kanë dorëzuar të gjitha.
E para se të kalohet në fazën tjetër, nesër në Hagë, do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes.
Aty pritet të diskutohen hapat e radhës, përfshirë mocionet e avokatëve për rrëzimin e disa prej akuzave, dëshmitarët dhe rastin që synon ta paraqesë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave dhe më pas rastin e mbrojtjes.
Nesër pritet të përcaktohen afatet për secilën prej procedurave, dhe kohën që kanë në dispozicion avokatët për të dorëzuar mocionet për hudhjen e aktakuzës.
Avokatët kanë bërë të ditur se nëse mocionet e tyre rrëzohen, do të thërrasin disa dëshmitarë, megjithatë të gjitha këto detaje pritet të sqarohen.
Në total, kanë dëshmuar 125 dëshmitarë në sallën e Gjykimit, dhe Prokuroria ka deponuar rreth 3 mijë prova materiale.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar, Kimberli West.
Avokatët optimistë
Nacionale ditë më parë ka qëndruar në Hagë, ku ka realizuar intervista me pjesën më të madhe të avokatëve.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka thënë se provat e Prokurorisë janë tejet të dobëta.
“Mendoj se ky rast dhe provat kundër Z. Thaçi kanë qenë shumë të dobëta. Nuk mund të flas për provat tani por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër Thaçit në këtë gjykim mbi 2 vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, tha avokati Misetiq, raporton Nacionale.
“Më lejoni të them se klientët tanë janë mbajtur në paraburgim për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, 4 vjet e gjysmë në paraburgim, 4 vjet e gjysmë të cilat nuk mund t’i kthejnë kurrë mbrapa. Jam i zhgënjyer që u deshën 2 vjet e gjysmë që çështja e Prokurorisë të përfundonte, besoj se kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt por jemi ku jemi tani”, tha ai më tutje.
Ngjashëm është shprehur edhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venketswari Alagendra.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe, Mbrojtja ka mbetur e paluhatur në angazhimin e saj për të vërtetën dhe drejtësinë. Që nga fillimi i gjyqit, strategjia jonë ligjore ka qenë e mbështetur në fakte, ligj dhe integritet. Gjatë rastit të Prokurorisë, ne kemi mbrojtur dhe argumentuar vazhdimisht pozitat e paraqitura në deklaratën tonë të hapjes. Ato pozita mbeten të pandryshuara”, thuhet më tutje në reagimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit me rastin e përfundimit të çështjes së Prokurorisë.
Alagendra ka bërë të ditur se tash do të vazhdojnë me hapat e tjerë, për të siguruar që procesi të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.
“Me afrimin e përfundimit formal të rastit të Prokurorisë në ditët në vijim, do të vazhdojmë me hapat e tjerë proceduralë, siç parashikohet në Rregulla. Ne jemi të angazhuar për t’u siguruar që këto hapa të përfundojnë pa vonesa, në mënyrë që të mund të jepet aktgjykimi përfundimtar sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në reagimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Edhe avokati i Rexhep Selimit është shprehur i bindur në pafajësinë e klientit të tij.
“Unë pres një analizë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të të gjitha provave nga ana e Trupit Gjykues dhe mendoj se pas këtij procesi, pas një procesi të drejtë, drejtësia do të triumfojë dhe Z. Selimi njësoj do të ketë rezultat pozitiv në fund të këtij procesi poashtu”, u shpreh avokati Roberts, raporton Nacionale.
“Mendoj se kushdo që do të ishte i ndaluar dhe larg familjes për 4 vjet e gjysmë, kjo do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm. Ai është arrestuar në fillim të nëntorit 2020, e ka ndjekur gjithë procesin dhe ka marrë pjesë në çdo seancë, i ka ndjekur me zell dhe ka bashkëpunuar për secilin urdhër të trupit gjykues në Gjykatë por personalisht është shumë optimist njësoj si unë, sigurisht shpreson se drejtësia ta gjejë anën e vet, kjo merr pak kohë por përfundimisht të rezultojë me një verdikt të cilin e shpresojmë”, tha ai.