Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, pas raportimeve në medie për përkrahje të Rusisë, ka mbyllur profilin e tij zyrtar të rrjetit social Facebook, por para kësaj, është kujdesur që të ofendoj një qytetar.
Gazmend Pula, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, është duke e mbështetur Rusinë dhe luftën e saj në Ukrainë.
Përmes postimeve në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ai shprehet hapur pro Putinit dhe kundër Perëndimit, që sipas tij, e futi Ukrainën në këtë luftë.
Ish-ambasadori është shumë aktiv virtualisht dhe është vënë krejtësisht në shërbim të propagandës ruse, duke shkruar e duke shpërndarë materiale nga “Russia Today”, televizioni propagandistik rus i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por veç kësaj ai ka nisur edhe të fyej qytetarët që e kanë kritikuar.
Ai madje i ka shkruar mesazh në Facebook një qytetari, duke e quajtur primitiv e trutharë, raporton Demokracia.com.
“Zhduku injorant primitiv truthare e trushperlare….! Tha qafen he bandit primitiv…!”, është mesazhi që ish-ambasadori i ka dërguar një qytetari.
Pas raportimeve në medie për mbështetjen e tij ndaj Rusisë, ish-ambasadori Pula, ka mbyllur profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook. /Demokracia