Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i ka dalë në mbrojtje edhe Kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqit pak pasi i doli në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.
Bislimi është shprehur se Kosova ka nevojë për luftimin e korrupsionit, por ai ka thënë se në KEK ka korrupsion, por Prokuroria sipas tij s’është marrë me rastet e deponuara nga menaxhmenti i KEK-ut, përcjell Paparaci.
Bislimi madje ka shkuar deri në atë pikë ku ka thënë se ai është arrestuar veç pse ia ka sjellur KEK-ut 107 milionë euro fitime.
“Unë pajtohem që në Kosovë ka ende nevojë për luftimin e korrupsionit. Ne nuk kemi thënë se kemi me e çrrënjosë korrupsionin dhe poashtu jemi të vetëdijshëm që një pjesë për luftimin e korrupsionit iu bie atyre institucioneve që siç thatë ju janë të pavarura. Për shembull ne e dimë se ka shumë korrupsion në KEK dhe jemi të vetëdijshëm që 30 raste të tilla janë deponuar në Prokurori nga menaxhmenti i KEK-ut por nuk ka interes politik të një institucioni që nuk është politik siç është Prokuroria e Kosovës që të mirret me këto raste, por ka interes të mirret veç me rastin e menaxherit që nga një kompani që ka punuar me humbje e ka sjellë si kompani me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Krasniqit që është arrestu.”, tha Bislimi.
Ai më tutje ka thënë se fakti që nëpër borde emërohen “ekspertë të Vetëvendosjes”, nuk nënkupton politizim.
“Politizim nuk nënkupton që një individ që menaxhon një ndërmarrje nuk duhet të jetë me preferenca politike. Politizimi nënkupton që kriter për zgjidhjen e atij personi është përputhja politike, mendoj që është gabim në qoftë se Besnik Bislimi emërohet anëtar Bordi në një institucion sepse është makroekonomist, por nëse emërohem se jam militant i një subjekti politik, ky është politizimi. Ne nuk i kemi armiqtë ekspertët që janë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe nëse ata përmes konkurseve arrijnë të dëshmojnë se meritojnë një vend të punës ne jemi të lumtur sepse do të themi që në radhët tona kemi ekspertë.”, tha Bislimi