Kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e tij vjen pasi kryeministri serb Millosh Vuçeviq u dorëhoq, duke njoftuar se këtë do ta bënte edhe kryetari i Novi Sadit.
“Si njeri i përgjegjshëm dhe politikan i përgjegjshëm po jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit. Stabiliteti dhe qetësimi i tensioneve dhe ndalimi i ndarjeve të mëtejshme në shoqëri janë kushte kyçe për përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Novi Sadit dhe përmirësimin e jetës së banorëve të Novi Sadit”.
“Dorëheqja nuk është shprehje dobësie apo tërheqjeje përballë sfidave, por akt i marrjes së përgjegjësisë dhe hapjes së hapësirës për rindërtimin e besimit mes qytetarëve. Ky vendim është shprehje e respektit tim të thellë për qytetarët e Novi Sadit dhe besimit tim në proceset demokratike dhe besimit se në këtë mënyrë do të kontribuoj në qetësimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për dialog konstruktiv dhe vazhdimin e projekteve për përmirësimin e mëtejshëm të jetës e të gjithë banorëve të Novi Sadit”, tha ai, shkruan Danas.
Vuçeviq njoftoi një konferencë për media lidhur me sulmin e mbrëmshëm ndaj studentëve në Novi Sad, ku një studente mbeti e lënduar rëndë.
Milan Gjuriq e dënoi mëngjesin e sotëm këtë sulm.
Në deklaratën e tij ai nuk ka adresuar pretendimet e studentëve se sulmuesit kanë ardhur nga objektet e Partisë Përparimtare Serbe.