as ish-Presidentit Hashim Thaçit, edhe Fadil Fazliu është ankuar për mangësi në aktakuzën kundër administrimit të drejtësisë, ku akuzohen së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.
Sipas parashtrimit të dorëzuar më 8 maj 2025 nga avokati David Young, bazuar në aktakuzë, Fazliu pretendohet se ka tentuar që të pengojë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) duke tentuar që të ndikojë në dëshminë e dëshmitarit 1, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja thotë se aktakuza është e paqartë sa i përket ngjarjeve që pretendohet se kanë ndodhur jashtë qendrës së paraburgimit.
Aty thuhet se aktakuza është e paqartë rreth asaj se çfarë pretendohet se ka bërë Fazliu gjatë takimit që thuhet se ka ndodhur më 29 qershor 2023. Gjithashtu, thuhet se e paqartë është edhe se çfarë pretendohet se ka bërë i akuzuari në takimin e 3 korrikut, ku thuhet se e takoi dëshmitarin 1 së bashku me Fahri Fazliun.
“Këto fakte, në veçanti pikat (i) dhe (iii), janë qendrore për akuzën tentimt të pengimit dhe, rrjedhimisht, për aftësinë e z. Fazliu për të përgatitur mbrojtjen e tij në mënyrë kuptimplote, si dhe për menaxhimin e procesit nga trupi gjykues”, thuhet në parashtrim.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se nëse ZPS-ja nuk jep këto informacione, akuzat duhet të tërhiqen, me arsyetimin se nuk mund të mbështetet Prokuroria në mangësi të hetimit të saj që t’i formësojë më vonë gjatë zhvillimit të gjykimit.
Mbrojtja e Fazliut ka kritika edhe për përshkrimet që Prokuroria ia bën grupit të përbashkët të pretenduar që dyshohet se kanë kryer krime, e që predentohet se janë ai, Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
“Mbrojtja e pranon që z. Fazliu, Smakaj, Kilaj dhe Kuçi janë anëtarë të pretenduar të “grupeve” përkatëse. Megjithatë, formulimi i aktakuzës mund të interpretohet siç të kenë bashkërenduar ndërmjet tyre. Kjo paqartësi nuk zgjidhet nga dokumentet e zbuluara gjatë fazës paraprake”, thuhet në parashtrim.
Veç kësaj, mbrojtja thotë se aktakuza nuk përmban ndonjë fakt material që dëshmon për komunikimin apo aktivitetet mes këtij grupi të pretenduar.
“Nëse ZPS-ja synon të pretendojë ndihmë ndër-grupore, duhet të urdhërohet të identifikojë qartë veprimet e veçanta ose rrjedhën e veprimeve të z. Fazliu që përbëjnë bazën për këtë akuzë, përfshirë kohën, vendin dhe mjetet, përmes të cilave është dhënë ndihma ndër-grupore. Nëse ZPS-ja nuk e zotëron këtë informacion, ky aspekt i akuzës duhet të tërhiqet”, thuhet tutje.
Si rrjedhojë, mbrojtja i kërkon gjyqtares së procedurës paraprake që të urdhërojë ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën duke siguruar më shumë saktësi, e në veçanti edhe qartësi në lidhje me mangësitë që tashmë mbrojtja i ka identifikuar.
Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës, transmeton Gazeta Papirus.