Alban Krasniqi, bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, duket se e ka të garantuar ulësen e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Krasniqi shërbente edhe më herët si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Bashkëshorti i ministres Haxhiu betohej më 2011-ën përpara ish-presidentes, Atifete Jahjaga, për këtë pozitë.
Sikurse sot, edhe para 12 vitesh, propozimi për Krasniqin bëhej nga Grupi Parlamentar i LVV-së, shkruan Demokracia.com.
“Vendimi për emërimin e tij është marrë duke u bazuar në nenin 139, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 61, në nenin 62 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhej në komunikatën e Presidencës më 2011-ën.
Krasniqi përpara se të dekretohej si përfaqësues i VV-së në KQZ, shërbente si këshilltar politik në Ministrinë për Administrim të Pushtetit Lokal. Nga ky funksion, sipas ministres Haxhiu, bashkëshorti i saj nuk ia merrte asnjë cent shtetit. Megjithatë, si anëtar i KQZ-së, Krasniqi do t’i marrë përafërsisht 1,300 euro çdo muaj.
Presidentja Vjosa Osmani përgjatë së premtes e dekretoi Krasniqin si anëtar të KQZ-së.
Ndonëse është praktikë diplomatike që vendimet e dekretet që dalin nga Zyra e Presidentit të publikohen nëpër rrjetet sociale, një gjë të tillë nuk e ka bërë as presidentja Vjosa Osmani e as stafi i saj, për t’u kursyer nga kritikat eventuale për një emërim të tillë. Vendimi është publikuar vetëm në uebfaqen zyrtare të Presidencës.
Alban Krasniqi ishte emri i kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Malishevën, kandidat ky i cili për VV-në sillte “ndryshimin e madh”, por jo edhe për malishevasit. Krasniqi doli i fundit në zgjedhjet lokale, duke marrë vetëm 15.15 për qind të votave.
Kësisoj, komuna shkoi në balotazh, i cili zhvillohej ndërmjet kandidatit të Nismës Socialdemokrate dhe PDK-së. Krasniqi bënte thirrje që të bojkotohej balotazhi, thirrje kjo e paprecedentë në botën demokratike.
“Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëj thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË. Sepse të zgjedhësh mes dy të këqijave nuk është zgjidhje, por zgjedhë…lak në fytin e qytetarit”, bënte thirrje Krasniqi nga ‘Facebook’-u.