Pas bllokimit të rrugëve në veri të vendit, si pasojë e arrestimit të një ish-polici serb si i dyshuar për veprën penale “sulm terrorist” ndaj KKZ-së në veri, janë mbyllur edhe dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinja e Bërnjaku.
“Bazuar në vlerësimet policore, po ashtu si masë paraprake e sigurisë, përderisa ka disa bllokime edhe në rrugën në drejtim të pikës kufitare Bërnjak, Policia e Kosovës tani ka mbyllur përkohësisht për qarkullim edhe këtë pikë kufitare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më herët, policia njoftoi se edhe pika kufitare në Jarinje është mbyllur si pasojë e bllokimit të rrugëve nga serbët lokalë.
Meqë tani dy pikëkalimet kufitare në veri të vendit janë mbyllur për qarkullim, polica ka ftuar qytetarët që t’i shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.