Regjisorja kosovare, Marigona Bekteshi-Ferati ka disa ditë që publikisht ka shprehur pakënaqësitë Këshillit Drejtues të teatrit “Muharrem Qena”. Ajo akuzon anëtarët e KD-së për shkelje ligjore dhe thotë se në këtë institucion vazhdimisht ka pasur tendenca për kapje.
Drama e nisur nga regjisorja, Bekteshi-Ferati dhe dramaturgia Albana Muja një muaj me parë, nuk ishte lexuar nga njëra anëtare e Këshillit, çka mundësoi që drama të shtyhet për një muaj.
Bekteshi-Ferati potencoi se ky këshill dhe çdo vendim i marrë tregon tendencën për orkestrim.
Gazeta Insajderi ka pranuar një informacion se njëra anëtare e Këshillit tashmë ka dhënë dorëheqje.
Nga burime të sigurta Insajderi mëson se anëtarja që ka dhënë dorëheqje është Teuta Selmani.
Insajderi ka kontaktuar me Selmanin dhe e njëjta konfirmoi se ka dorëzuar dorëheqjen dy ditë më parë.
“Po, kam dhënë dorëheqje. Vetëm për arsye personale, jo diçka tjetër”, tha ajo për Insajderin.