Partia e Serbëve të Kosovës që udhëheqet nga kryetari Aleksandar Jabllanoviq, kanë bërë të ditur se dy kandidatë e tyre janë zgjedhur me nga një votë si asamblist në Kuvendin Komunal të Leposaviqit.
Në reagimin e tyre thuhet se kjo gjë tregon që zgjedhjet në veri kanë dështuar dhe se rezultatet e këtyre zgjedhjeve po shkaktojnë vëtëm habi dhe të qeshura.
“Vendimi i Partisë sonë të serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, sot më 26.04 ka rezultuar plotësisht i saktë. Përkatësisht sot u njoftuam nga (KQZ Leposaviq) se dy kandidatët tanë nga lista e përkrahësve (Slavisha Jevtiq dhe Milutin Iliq) morën mandate dhe me vetëm një votë fituan në zgjedhjet e 23.04.”
“Ky është një konfirmim se ky proces zgjedhor ka dështuar dhe është i dënuar të dështojë dhe se rezultatet e tij nuk mund të shkaktojnë gjë tjetër veç të qeshura dhe habi. Mendojmë se askund dhe asnjëherë në botë askush nuk është zgjedhur në Kuvendin komunal vetëm me (1) një votë, dhe në pozitën e kryetarit të komunës me vetëm 100 vota.” – thuhet në reagimin e kësaj.
Partia e Serbëve të Kosovës tri ditë para zgjedhjeve të 23 prillit ishte larguar nga gara.
Në anë tjetër, të martën KQZ ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit.