Parlamenti i Spanjës me shumicë dërmuese ka votuar kundër propozimit të partisë katalunase Junts për t’i kërkuar Qeverisë spanjolle njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pas hedhjes në votim të këtij propozimi, 293 deputetë kanë votuar kundër, 25 pro, derisa 27 deputetë kanë abstenuar.
Nisma e partisë Junts argumentonte se Kosova është një shtet ligjor dhe demokratik me 1.7 milion banorë, i njohur nga mbi 100 vende, përfshirë 22 anëtarë të BE-së.
Në këtë nismë Junts ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga viti 2010, që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Junts po ashtu kishte theksuar se është e papranueshme që Spanja të ndjek të njëjtën strategji si Rusia, Kina dhe Bjellorusia me mosnjohjen e Kosovës.
Deputeti katalunas, Eduard Pujol Bonell, mori fjalën për të prezantuar në Parlamentin e Spanjës propozimin e “Junts” që Qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Bonell paraqiti kërkesën për qeverinë e Spanjës për ta njohur Kosovën si shtet, duke përmendur edhe vendimin e Madridit zyrtar për ta njohur Palestinën si shtet të pavarur.
“Refuzimi spanjoll për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”.
“Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ketë të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, u tha në propozimin e shkruar të “Junts”.