Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për shkelje të të drejtave e njeriut në Serbi konkretisht trafikimin e qenieve njerëzore të rreth 500 vietnamezëve që punojnë në një fabrikë kineze në Zrenjanin të Serbisë veriore. Rezolutën e kanë përkrahur 589 deputetë të Parlamentit Evropian, 53 prej tyre e kanë kundërshtuar dhe 44 kanë abstenuar.
Eurodeputetët kanë shprehur shqetësim edhe për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi, raporton Gazeta Express.
“Puna e detyruar në fabrikën Linglong dhe protesta mjedisore në Serbi. Parlamenti shpreh shqetësim të thellë për dyshimet për punën e detyruar, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe trafikimin e qenieve njerëzore të rreth 500 vietnamezëve në një kantier ndërtimi të fabrikës Linglong Tyre në pronësi kineze në Zrenjanin, Serbinë veriore. U kërkohet autoriteteve serbe që të hetojnë rastin me kujdes dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore të njeriut në fabrikë, veçanërisht të drejtat e punës, për t’i ofruar BE-së rezultatet e hetimeve të saj dhe për t’i kërkuar autorët përgjegjës.
Në rezolutën e PE-së thuhet poashtu se Serbia po i jep industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje edhe pse është vend kandidat për në BE.