Trendi i parave të falsifikuara në Kosovë sa vjen e bëhet pjesë e përditshmërisë. Raportet 24 orëshe të policisë së Kosovës pothuajse çdo ditë kanë përbrenda raste të këtij lloji me falsifikim të monedhave nga qytetarët, shkruan Insajderi.
Ky trend duket se zanafillën e ka nga rrjeti social Tik Tok nga ku edhe reklamohen para të falsifikuara.
Megjithëse këto postime publikohen në Tik Tok, kjo veprimtari kryhet përmes rrjetit social “Telegram”.
Trajtimi i rasteve nga Policia e Kosovës
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me policinë e Kosovës në lidhje me rastet e raportuara në vitin 2021 dhe 2022.
Sipas përgjigjeve nga zyra për informim e policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021 kishte 866 raste ndërsa në vitin 2022 523 raste.
“Gjatë vitit 2021 policia ka iniciuar dhe trajtuar 866 raste ‘falsifikim i parasë’, kurse gjatë periudhës janar-shtator 2022 janë iniciuar 523 raste ‘falsifikim i parasë’”, thuhet në përgjigjen e policisë për Insajderin.
Një mashtrim i raportuar në maj të këtij viti kapte shumën 500 euro.
Sipas raportit të policisë së Kosovës, një punëtor i një lokali të njohur në Prishtinë, kishte pranuar nga një klient një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Rasti është raportuar në stacionin policor “Jugu”, ku punëtori ka deklaruar se 500 euro i kishte pranuar nga 3 persona, pasi kishte dërguar një porosi në rrugën “Kadri Halimi”, në Prishtinë./GAZETAPAPIRUS/