Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Kiksit i thanë se këto masa u morën pas mospërputhjes së të dhënave të numrit të kafshëve që u importuan për therje dhe atyre që u theren. Megjithatë, bizneset të cilat u penalizuan i cilësojnë këto masa si të pabaza dhe të padrejta.
Madje, Muhamed Bunjaku nga kompania “Meli Sh.p.k” tha për Kiksin se nuk ka pranuar asnjë vendim zyrtar për pezullim nga AUVK, ani pse kompania e tij është e përfshirë në listën e operatorëve të pezulluar.
Sipas tij, në rastin e kompanisë “Meli” nuk bëhet fjalë për shkelje, por për probleme teknike në sistemin e AUVK-ut, që kanë sjellë dyfishim të numrave dhe kunfuzion në raportim. Bunjaku pretendon se të gjitha kafshët e importuara për therje janë therur në thertore të licencuar, por sistemi nuk i ka evidentuar.
Bunjaku paralajmëron se do të padisë Agjencinë për dëmtim të imazhit dhe përfshirje të padrejtë në listën e kompanive të pezulluara.
E Naser Bunjaku, pronar i kompanisë “OAN 2023 sh.p.k” i tha Kiksit se licenca e importit iu pezullua sepse rezultoi se 135 krerë gjedhe që ishin importuar nga kompania e tij për therje, nuk ishte therur.
Sipas tij, këto kafshë të cilat kishin 10 ditë që ishin importuar, ishin në proces pritjeje për therje, në bazë të kërkesave të blerësve dhe nuk kishte asnjë shkelje.
Ai kundërshton afatin 72-orësh për therjen e kafshëve të vendosur përmes udhëzimit administrativ, duke e quajtur këtë kusht si të parealizueshëm.
Naseri i cili ka 3 javë që nuk ka importuar kafshë, thotë se është ankuar në AUVK, por nuk pajtohet që të nënshkruajë deklaratën nën betim, përmes të cilës do të betohej se do i ther kafshët brenda 72 orëve, dokument të cilin ia kanë dhënë nga kjo agjenci.
I të njëjtit mendim është edhe Gëzim Bajrami nga kompania “Gëzimi Mall Sh.p.k”, i cili po akuzohet se nuk ka deklaruar therjen e qindra kafshëve.
Bajrami i tha Kiksit se ka bërë disa ankesa kundër vendimit të AUVK-ut dhe është edhe në proces gjyqësor për këtë rast. Ky importues te konsideron joprofesional kushtin 72-orësh për therjen e kafshëve.
E Sami Nreca, përfaqësues i kompanisë “Nreca L.L.C”, e cila ndodhet e 27 në listën e operatorëve të pezulluar, i tha Kiksit se biznesit të tij nuk i është tërhequr licenca, por i është dhënë një vërejtje për vonesë në therjen e kafshëve.
Kiksi ka provuar të kontaktojë të gjitha kompanitë të cilat kanë qenë të përfshira në këtë listë, por disa prej tyre kanë refuzuar që të prononcohen e të tjera nuk u janë përgjigjur thirrjeve të emisionit, në numrat kontaktues të cilët i kanë të publikuar në ARBK.