Ndonëse në Kosovë ende nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri të COVID-19, Omicron, infektologët dhe ekspertët thonë se edhe Kosova rrezikon të preket nga ky mutacion i ri që ka prekur tashmë disa vende perëndimore.
Por, ndonëse ka shumë pak informacione rreth këtij mutacioni të ri, infektologët në Kosovë thonë se të dhënat e para flasin për një formë të lehtë ose mesatarisht të rëndë.
E nga Ministria e Shëndetësisë janë deklaruar se në fillim të kësaj jave do mblidhet edhe komiteti i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishikuar masat anti-COVID.
Drin Podrimqaku, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë ka deklaruar për KosovaPress, në fillim të kësaj jave do të mblidhet grupi i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishqyrtuar kështu vendimin për masat.
“Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19 është mbledhur të Shtunën, ku kanë diskutuar për situatën epidemiologjike dhe rrezikun e përhapjes së variantit të ri Omicron të Covid-19, janë konsultuar të gjithë hisedarët, dhe në fillim të kësaj jave do të mblidhet grupi i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishqyrtuar kështu vendimin për masat”, tha ai.
Infektologu Ilir Tolaj thotë se Omicron dallon nga variantet tjerë të COVID-19, pasi shoqërohet me ndryshime të mëdha në strukturën e tij gjenetike.
Ai konsideron se edhe Kosova do të ballafaqohet me këtë variant të ri, i cili në bazë të dhënave aktuale manifestohet me simptoma më të lehta apo mesatarisht të rënda.
Infekotogu Tolaj thotë se imuniteti i krijuar pas kalimit të COVID-19 apo edhe vaksinimit do ndikojë për të parandaluar format e rënda të këtij varianti.
“Ky variant për dallim nga varinatet tjera ka ndryshime më të mëdha dhe shumë më të numërta në strukturën gjenetike të tij duke sjellë pikëpyetje se në çfarë mënyre do të ketë pasoja në përhapjen e pandemisë në përgjithësi. Deri tash të dhënat janë shumë të vogla rreth se sa infektues është ky variant në raport me variantet tjera paraprake, duke përfshirë edhe variantin Delta, Delta plus, gjithashtu edhe rreth manifestimeve klinike, rastet e paktat të cilat janë shfaqur si në Afrikën e Jugut, ashtu edhe në vendet tjera prej nga flasin tash për tash për një formë relativisht të lehtë ose mesatarisht të rëndë pa ndërlikime plotësuese, mirëpo ende të dhënat janë duke u grumbulluar, ende nuk dihet se cili është ndikimi i vërtet i këtij variant në ecurinë e pandemisë…Ashtu siç ka ndodhur deri tani me të gjitha variantet dhe me të gjitha valët e pandemisë, edhe Kosova herët ose vonë do të ballafaqohet edhe me këtë variant, por përparësia e Kosovës është që deri në atë moment ne do kemi shumë më tepër informata sesa që kemi deri në këtë çast dhe ku Kosova nuk ka ende ndonjë prej këtyre rasteve rrjedhimisht do jetë në gjendje që t’i shfrytëzoj përvojat e vendeve tjera në ballafaqimin me këtë variant”, tha ai.
Sipas infektologut, Ilir Tolaj masat e tanishme që janë në fuqi për momentin janë të mjaftueshme për mbrojtje, megjithatë, ai kërkoi vetëm zbatim më të lartë të tyre.
Tolaj thotë se grumbullimet e njerëzve gjithsesi duhet të evitohen.
“Masat që janë duke i ndërmarrë shumë vendeve të ndryshme rreth këtij varianti janë masa parandaluese të kujdesit jashtëzakonisht të tepruar për të cilat Kosova njëherë për njëherë nuk e besoj që ka nevojë që t’i ndërmarrë në masën e tillë….Masat të cilat janë në fuqi janë të mjaftueshme janë jashtëzakonisht efikase nëse do të ishin mbikëqyr si duhet, duhet me pranuar që këto masa nuk janë mbikëqyrë sa duhet unë prapë po e them për Kosovën dhe popullatën e saj do jetë e mjaftueshme nëse parandalohen tubimet në ambientet të mbyllura për një kohë shumë të gjatë të një numri të madh të personave nuk duhet lejuar puna e klubeve të natës, nuk duhet lejuar mbajtja e dasmave dhe duhet të kufizohet edhe në orare edhe gjithsesi në numër shfrytëzimi i kapaciteteve hoteliere siç janë kafiteritë e ndryshme”, theksoi Tolaj.
Ndërsa, kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptar në Evropë, Aurora Dollenberg, variantin e ri Omicron e konsideron surprizë për të gjithë.
Specialistja e mjekësisë familjare për KosovaPress, thotë se nga ky variant nuk do shpëtojë as Kosova marrë parasysh edhe festat e fundvitit.
Dollenberg ka kërkuar që edhe Kosova sa më shpejt t’i rishikojë masat duke evituar grumbullimet e mëdha të qytetarëve.
“Është një surprizë për të gjithë mjekët dhe virologët sepse pritshmëria ishte që ky variant i ri të ishte një pasardhës i variantit Delta, pra të ishte një mutacion tjetër i variantit Delta, përkundrazi shohim se është një mutacion komplet i ri i COVID-19 dhe deri tani dimë që ka një infektueshmëri më të lartë dyshojmë që mortaliteti i shkaktuar nga ky virus është më i dobët sesa varianti Delta gjë që është një faktor pozitiv dhe që qetëson popullatën por edhe neve bluzat e bardha….Ata që kanë vaksinën nuk përfundojnë në spital ata që janë të pavaksinuar nëse kanë fatin e keq që të infektohen sidomos me variantet e reja qoftë Dela apo Omicron që vjen nga Afrika ata kanë një rrezik tepër të lartë që të përfundojnë në reanimacion me komplikacione deri në vdekjeprurëse…Rreziku i infektimit të një numri të lartë i qytetarëve në Kosovës është me të vërtetë real dhe shumë i lartë sidomos në kohën e festave të fundvitit të cilat na presim sidomos për ne familjet shqiptare grumbullimet e familjeve në ambiente të vogla dhe me një numër shumë të madh”, theksoi Dollenberg.
Varianti i koronavirusit, Omicron për herë të parë u indetifikuar në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021.Ndërsa më28 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se e kishte klasifikuar këtë variant si “shqetësues” për shkak të disa mutacioneve dhe mënyrës se si ato mund të kenë ndikim në sjelljen e virusit, si për shembull se sa shpejt mund të shpërndahet apo shkallën e sëmundjes që shkakton.
Përveçse në Afrikën e Jugut, varianti është identifikuar edhe nëpër shumë vende të tjera, për çka shumë shtete si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtime.