Në media është raportuar se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, është denoncuar për shantazh të gjyqtarëve kushtetues te disa partnerë ndërkombëtarë. Një takim fort i pakëndshëm raportohet të ketë ndodhur mes Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, si dhe Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Paparaci ka raportuar se ka siguruar një dokument ku thuhet se shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka, i cili siç përshkruhet përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë letër është përshkruar se si kryetarja e gjykatës ishte e shqetësuar dhe e rreptë në raport me Ajetin. Ajo i kishte thënë se nëse ka informata të tilla le t’i drejtohet Prokurorisë dhe jo asaj.
Por, a është presion mbi gjyqtarët vizita e shefit të AKI-së në Kushtetuese?
E gjithë kjo ndodhi pasi në media u raportua se vendimi i Kushtetueses mund ta rrëzojë presidenten, për shkak se Veton Berisha dhe Albert Kinolli e kanë rastin në gjykatë për mandatet e tyre dhe vendimi per ta ende nuk eshte bere publik.
Aty pretendohej se Kushtetuesja do të marrë vendim bazuar në ankesat e dy deputetëve minoritarë për shkak të manipulimit të votave në zgjedhjet e fundit.
Menjëherë pas këtyre raportimeve, Blerim Vela, shef i stafit te presidentes, reagoi me një gjuhë të papranueshme ndaj mediave.
Vela përmes disa postimeve në Twitter, kishte thënë se këto pretendime janë synim perfid për t’i bërë presion gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.
“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, ka shkruar Vela.
Ai më tej ka shtuar se kanë plotësisht të qartë se “dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve”.
Vela ka theksuar se çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë.
“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë”, ka shkruar Vela.
Ndaj këtyre deklaratave të Velës reagoi ashpër Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar nga Presidenca që përfundimisht t’i ndalojë sulmet ndaj mediave.
AGK e ka quajtur “skandaloz” postimin e Velës në ‘Twitter’ ku i ka cilësuar raportimet e mediave si “pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”.
“Jo për herë të parë, Blerim Vela – Shef i Stafit të Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, ka sulmuar mediet e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes”, thuhet në njoftim të AGK-së.