Për shkak të një infeksioni në organet e frymëmarrjes, Papa Françesku do të duhet t’i kalojë disa ditë në një spital në Romë.
Në deklaratën e publikuar nga Vatikani thuhet se 86-vjeçari kishte pasur vështirësi në frymëmarrje gjatë ditëve të fundit, por se nuk ka COVID-19.
Më tutje, në deklaratë thuhej se ai ka nevojë për “disa ditë terapi adekuate mjekësore spitalore”.
“Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta që ka marrë dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjet”, thuhet në deklaratë.
Stafi i tij më i afërt, përfshirë këtu edhe sigurimin, raportohet të ketë qëndruar me të në spital gjatë orëve të para të së enjtes, sipas një burimi të BBC.
Kjo është periudha më e ngarkuar e vitit për Papa Françeskun, pasi janë planifikuar shumë evente dhe shërbime para fundjavës së Pashkëve.