Deputetët e Kuvendit kanë nisur të mblidhen në sallën e zakonshme ku mbahen seancat plenare. Jashtë, veteranët e UÇK-së janë mbledhur duke protestuar. Ata paralajmërojnë se do të futen brenda.
Situata eskaloi pasi veteranët i shmangën rrethojat dhe u nisën drejt dyerve të Kuvendit.
“Me hy kemi me hy”, u dëgjua duke thënë njëri nga veteranët në krye të turmës që po qëndron në prag të dyerve të institucionit më të lartë ligjvënës.
Veteranët po kërkojnë që seanca e paralajmëruar për orën 11:00 të mos mbahet fare. Ata janë të indinjuar pasi Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale.
Kundër këtij projektligji që parashihet të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit është shprehur Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj tha në një konferencë për media se “askujt nuk i duhen trazirat”.