Ndaj Ministrisë së Drejtësisë është ushtruar padi nga përmbaruesi Irfan Kërçagu pasi ai është suspenduar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat, më 19 maj të vitit 2023.
“Betimi për Drejtësi” e ka siguruar dokumentin në të cilën është kjo padi, ku Kërçagu ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e tij dhe të anulohet vendimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Gjithashtu kësaj padie i është bashkangjitur kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, duke kërkuar që të aprovohet propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë të Drejtësisë deri në vendimin definitiv gjyqësor sipas padisë.
Sipas padisë pretendimet e raportit ishin të pabazuara pasi që Ligji për Procedurën Përmbarimore përcakton qartë se një përmbarues privat mund të merret në përgjegjësi disiplinore vetëm po qe se me veprimet e tij shkel ligjin, nuk i plotëson detyrimet e parapara me akte të Odës së Përmbaruesve, apo shkel prestigjin e profesionit.