Kryetari i AKR-së dhe deputeti Behgjet Pacolli, ka reaguar pas pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e ankesit të marrëveshjes.
Pacolli ka thënë se tashmë është tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi dje në Ohër.
Ai ka thënë se Kurti duhet ta kuptojë që bashkëpunimi me faktorët e tjerë në Kosovë është i pashmangshëm dhe se të bashkuar jemi më të ditur e më të fortë.
“Kosova mbi të gjitha!” – ka shkruar ndër të tjera Pacolli në Facebook.
Shkrimi i tij:
Tani është tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi, e djeshmja nuk ishte një ëndërr por një realitet. Në këtë situatë të re, t’i lëmë mënjanë (për një moment) analizat e rrethanat pse e si ndodhi, inatët e lavdatat dhe ti drejtohemi së ardhmes.
Nuk besoj se ka njeri në Kosovë që nuk i pëlqen perspektiva paqësore e rrugëtimit tonë.
U bëj thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe çdo qytetari që të mbështes qeverinë në zbatimin me përgjegjësi të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.
Nga ana tjetër, kryeministri duhet të kuptojë se bashkëpunimi me faktorë të tjerë në Kosovë është i pashmangshëm. Së bashku jemi më të ditur dhe më të fortë.
Kosova mbi të gjitha!